Boronica: Si dallon ajo e malit nga ajo e kultivuar

Shpesh dëgjojmë mendimin se boronica e kultivuar “nuk është natyrale”, ndërsa vetëm boronica e malit konsiderohet e vërtetë dhe e shëndetshme. Por a qëndron kjo? Shkenca dhe botanika japin një përgjigje të qartë: boronica e kultivuar ka bazë plotësisht natyrale, ndërsa boronica e egër mbetet e tillë sepse nuk është domestikuar.

Boronica e egër, ose boronica e malit (Vaccinium myrtillus), është një specie plotësisht natyrore dhe e egër. Ajo rritet spontanisht në pyjet malore të Evropës, Azisë dhe pjesëve të Amerikës Veriore. Malet e Kosovës dhe të Shqipërisë janë veçanërisht të pasura me boronicë të malit, e cila përbën një pasuri të rëndësishme natyrore, ekologjike dhe ekonomike për zonat malore dhe komunitetet lokale. Kjo bimë nuk është kultivuar kurrë në pemishte dhe nuk ka kaluar proces të fisnikërimit bujqësor. Frutat e saj vilen drejtpërdrejt nga natyra dhe përdoren të freskëta, të ngrira ose të përpunuara. Boronica e malit njihet për përmbajtje shumë të lartë të antioksidantëve dhe fenoleve, por prodhimi i saj varet tërësisht nga kushtet natyrore dhe ndryshimet klimatike. Prandaj, boronica e malit mbetet e egër, jo e kultivuar dhe jo e domestikuar.

Nga ana tjetër, boronica që sot e gjejmë në tregje dhe supermarkete, Vaccinium corymbosum ose boronica kacubëlartë, nuk është bimë artificiale. Edhe kjo specie është natyrale, me origjinë nga Amerika Veriore, ku rritet spontanisht në toka moçalike dhe zona me torfë. Dallimi kryesor është se kjo specie është domestikuar shumë vonë, në vitin 1908, dhe më pas është seleksionuar dhe fisnikëruar nga njeriu, duke u përshtatur për kultivim bujqësor. Përmes përzgjedhjes së bimëve më produktive, me fruta më të mëdha dhe rendiment më të qëndrueshëm, nga kjo specie janë zhvilluar qindra kultivarë komercialë që sot prodhohen në mbarë botën. Në Kosovë, boronica e kultivuar mbulon aktualisht rreth 180 hektarë tokë bujqësore, duke u bërë një kulturë gjithnjë e më e rëndësishme për bujqësinë dhe eksportin. Kjo tregon se boronica e kultivuar ka origjinë natyrore, por është përmirësuar për nevoja bujqësore.

Boronica e malit nuk është domestikuar për disa arsye kryesore. Ajo ka kërkesa shumë specifike agroekologjike, rritet ngadalë dhe ka rendimente të ulëta, është e ndjeshme ndaj ndryshimeve jashtë habitatit natyror dhe është e lidhur ngushtë me ekosistemet natyrore malore. Këta faktorë e bëjnë kultivimin intensiv ekonomikisht të vështirë.

Dallimi mes boronicës së egër dhe asaj të kultivuar nuk është “natyrale” kundrejt “jo natyrale”, por mënyra e përdorimit të tyre. Boronica e egër (V. myrtillus) rritet vetëm në natyrë, nuk kultivohet dhe vilet nga pyjet, ndërsa boronica e kultivuar (V. corymbosum) ka origjinë natyrore, por është domestikuar dhe kultivohet në pemishte. Të dyja janë produkte të natyrës, por vetëm e kultivuara ka kaluar procesin e bujqësisë moderne.

Ky sqarim është i rëndësishëm sepse shpesh konsumatorët mendojnë gabimisht se boronica e kultivuar është më pak e vlefshme ose “jo e vërtetë”. Në realitet, boronica e egër ka vlerë të jashtëzakonshme ushqyese dhe ekologjike, ndërsa boronica e kultivuar siguron prodhim të qëndrueshëm, cilësi fruta më të mëdha dhe më të njëtrajtshme, kultivim të kontrolluar në pemishte dhe mundësi për konsum të rregullt gjatë gjithë vitit.  

Pra, boronica e kultivuar nuk është krijim artificial, por pasardhëse e një specieje natyrore që është përmirësuar nga njeriu. Ndërsa boronica e egër mbetet një thesar i natyrës, veçanërisht në malet e Kosovës e të Shqipërisë, ku rritet pa ndërhyrje dhe nuk është domestikuar. Natyra është baza e të dyjave, dallimi qëndron në mënyrën se si i përdorim sot.

Dr.sc. Kujtim Lepaja – Drejtor ekzekutiv “Mjedra e Kosovës”

Scroll to Top