Sot, për herë të parë në Prizren, në pemishten e kompanisë Arti Fruit, antare e shoqatës ‘Mjedra e Kosovës’, u organizua Dita e Aronisë. Mbi 200 pjesëmarrës e madhështuan këtë ngjarje, duke e bërë atë një sukses të vërtetë.
Në këtë ditë të rëndësishme morën pjesë personalitete të larta, përfshirë Ministrin e Bujqësisë z. Faton Peci, Kryetarin e Komunës së Suharekës z. Bali Muharremaj, deputeten znj. Fitore Pacolli, dhe shumë të tjerë.
Kosova kultivon aroninë në mënyrë komerciale që nga viti 2013. Aktualisht, sipërfaqja e kultivuar me aroninë arrin në 100 hektarë, me një prodhim prej rreth 500 tonësh në vit. Dita e Aronisë u mbajt në pemishten organike me sipërfaqe prej 8 hektarësh në Prizren, të cilat janë mbjellë në vitin 2016. Kjo pemishte arrinë prodhim prej mbi 100 tonë në vit dhe përfshijnë të gjithë zinxhirin e vlerës, nga kultivimi deri te përpunimi, duke rritur kështu vlerën e produktit dhe eksportuar në tregjet ndërkombëtare, si në Zvicër.
Kjo arritje është rezultat i punës dhe përkushtimit të familjes së Adem Berishës, e cila ka investuar në këtë projekt, pas një përvoje të gjatë në Zvicër. Investime të tilla janë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë në Kosovë. Vendi ynë ofron shumë mundësi që duhet t’i shfrytëzojmë me mençuri.
Gjatë Ditës së Aronisë u zhvilluan disa aktivitete të ndryshme, duke përfshirë fjalimet e personaliteteve të pranishme, vjeljen e mekanizuar të aronisë, si dhe degustimin e produkteve të ndryshme të përpunuara nga aronia.
Arti Fruit, i cili është anëtar i Shoqatës Nacionale ‘Mjedra e Kosovës’, kontribuoi në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, duke demonstruar përkushtimin e tyre për zhvillimin e sektorit të aronisë në vendin tonë
Kjo ishte Dita e Aronisë – një ditë e cila premton të shndërrohet në një traditë vjetore, duke promovuar kultivimin dhe vlerat e aronisë në Kosovë.

Faleminderit Arti Fruit për mikpritjen dhe për këtë ditë të mrekullueshme në fushat tuaja të aronisë.
Le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një të ardhme të suksesshme për bujqësinë e Kosovës!