Asnjëherë më parë nuk është regjistruar një situatë kaq sfiduese për kultivuesit e mjedrës në Kosovë, sidomos për kultivarët vjeshtorë. Këtë vit (2024), prodhimi i mjedrës ka pësuar një goditje të rëndë nga kushtet klimatike të jashtëzakonshme. Për herë të pare prej që kultivohet mjedra në vendin tonë, vjelja e kultivarëve vjeshtorë ka përfunduar në fillim të shtatorit, ndërsa gjithashtu për herë të parë frutdhënia ka nisur që me 2 qershor. Ky fenomen i pazakontë ka ngritur pyetjen nëse efekti “El Niño” ka prekur sektorin e mjedrës në vendin tonë. Pa dyshim, përgjigja është po.
Këtë vit, kushtet klimatike kanë qenë jashtëzakonisht të pafavorshme, me mbi 60 ditë pa shi dhe mbi 30 ditë me temperatura mbi 35°C. Këto kushte kanë ndikuar ndjeshëm në bujqësinë e Kosovës në përgjithësi, dhe në veçanti në kultivimin e mjedrës. Rendimenti i mjedrës, veçanërisht për kultivarët vjeshtorë, ka qenë dukshëm më i ulët dhe cilësia e frutave është përkeqësuar. Përjashtim bëjnë disa zona malore, ku kushtet kanë qenë më të freskëta dhe sektori ka performuar dukshëm më mirë.
Efekti i klimës ka prekur jo vetëm mjedrën, por edhe të gjitha kulturat e tjera bujqësore që kanë pasur pikun e sezonit gjatë korrikut dhe gushtit. Për kultivuesit e mjedrës në Kosovë, kjo ka nënkuptuar një sezon prodhimi të vështirë, me humbje në rendiment dhe cilësi, që kërkon një analizë të thellë dhe adaptim për të ardhmen.
Në përgjigje të këtyre sfidave, Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës,” nën mbështetjen e donatorëve kryesorë si CARITAS, USAID, dhe GIZ, do të pilotojë projekte të ndryshme vitin e ardhshëm për të adresuar këto sfida të vështira. Këto projekte do të synojnë të identifikojnë dhe të implementojnë praktika të reja për t’u përballur me ndikimet e ndryshimeve klimatike në kultivimin e mjedrës.
Në këto kushte, është jetike që sektori i mjedrës të përgatitet për të përballuar ndikimet e ndryshimeve klimatike. Investimi në teknologji të reja, përmirësimi i praktikave të menaxhimit të ujit dhe zgjedhja e kultivarëve më rezistentë ndaj kushteve ekstreme do të jenë hapa të domosdoshëm për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për kultivimin e mjedrës në Kosovë.
Bashkëpunimi me institucionet shkencore ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare për të kuptuar më mirë ndikimin e El Niño dhe ndryshimeve të tjera klimatike do të ndihmojë në krijimin e strategjive efektive për përshtatjen dhe mbrojtjen e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë rurale të vendit.
Kujtim Lepaja
Rreth efekti el Nino mund të lexoni këtë artikull: https://mjedraekosoves.com/ndikimi-i-efektit-el-nino-ne-prodhimin-e-pemeve-te-imeta-ne-ballkan-dhe-evrope/