Viti 2024 shënoi vitin e dytë radhazi me sfida të mëdha për bujqësinë në Kosovë, veçanërisht për sektorin e mjedrës. Pas vitit 2023, i cili u karakterizua nga reshje të mëdha pranverore që shkaktuan humbje në mbi 200 hektarë me mjedër të kultivarëve vjeshtorë, shpresat ishin që ky vit të ishte më i favorshëm.
Fillimi i vitit 2024 dha shenja pozitive. Vegetacioni nisi me një gjendje të shkëlqyer, dhe asnjëherë më parë pemishtet e mjedrës nuk kishin qenë në kushte kaq të mira deri në fund të qershorit. Fermerët u kujdesën në mënyrë të përpiktë për masat agroteknike dhe pomoteknike, ndërsa gjendja shëndetësore e bimëve ishte e jashtëzakonshme.
Mirëpo, situata ndryshoi papritmas më 23 qershor. Në Zhup të Prizrenit, një rajon ku kultivimi i mjedrës ka pasur sukses dhe prodhim cilësor ndër vite, një breshër i fuqishëm shkatërroi tërësisht prodhimin e mjedrës pranverore. Përveç dëmeve në prodhimin e vitit 2024, breshëri shkaktoi dëme edhe për vitin e ardhshëm, pasi llastarët e rinj, që përgatiten për frutdhënie në sezonin tjetër, u shkatërruan. Viti 2025 do të jetë pa 50 ha mjedër.
Pas kësaj sfide, kultivarët vjeshtorë u përballën me një tjetër goditje klimatike. Nga fillimi i korrikut deri në fund të gushtit, vendi u kaplua nga temperatura të larta, me 35 ditë radhazi ku temperaturat tejkaluan 35°C. Këto kushte ekstreme shkaktuan:
- Rënie të prodhimit
- Degradim të cilësisë së mjedrës
- Humbje ekonomike të mëdha, me një dëm të vlerësuar prej rreth 3 milionë euro, për shkak të humbjes së rreth 1000 tonë prodhim.
Ky ishte viti i dytë me radhë që sektori i mjedrës në Kosovë u përball me sfida klimatike të ashpra. Për t’iu kundërvënë këtyre sfidave, Shoqata Nacionale e Pemëve të Imëta, Mjedra e Kosovës, ka nisur përgatitjet për teste dhe strategji të reja gjatë vitit 2025. Këto përfshijnë:
- Testimin e kultivarëve të rinj dhe më rezistentë ndaj kushteve ekstreme.
- Implementimin e sistemeve të mençura për ujitje dhe plehërim.
- Përdorimin e sistemeve të ujitjes për uljen e temperaturave të ajrit.
- Instalimin e pompave solare për nxjerrjen e ujit.
Këto teste dhe masa do të realizohen me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë si USAID/ADAPT, CARITAS/EREA duke siguruar investime dhe ekspertizë për rritjen e qëndrueshmërisë së industrisë së mjedrës. Këto përpjekje synojnë të ndihmojnë fermerët të përballen me ndikimet gjithnjë e më të ashpra të ndryshimeve klimatike dhe të ruajnë konkurrueshmërinë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Fot. 1. Pamje e pemishtës së mjedrës në Teneshdoll, Prishtinë, e prekur nga temperaturat e larta, të cilat ndërprenë prodhimin 30 ditë më herët se normalisht.