Sot, më 20.02.2026, i dhamë lamtumirën e fundit shokut tonë, agronomit të dalluar Naim Krasniqi, një personalitet i rrallë, me një mendësi ndryshe, i cili e bëri bujqësinë më atraktive dhe më të dashur për të gjithë, e mbi të gjitha për të rinjtë në vendin tonë.
Naimi, djalë dëshmori, u rrit me frymë fetare dhe kombëtare, me vlera të forta familjare dhe dashuri për atdheun. Që në rini u përball me jetën me dinjitet: punoi dhe studioi njëkohësisht, duke u dalluar gjithmonë për seriozitetin, përkushtimin dhe korrektësinë e tij. Ai përfundoi studimet në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, në drejtimin e Mbrojtjes së Bimëve, dhe më pas vazhdoi studimet master për Mbrojtje të Bimëve në Bari të Italisë, duke marrë njohuri bashkëkohore që më vonë i solli me shumë dashuri dhe përkushtim në Kosovë.
Tërë përvojën dhe dijen e tij nuk i mbajti për vete. Karrierën profesionale e nisi në projekte zhvillimore në sektorin e bujqësisë, respektivisht në projektet NOA dhe AGRO të financuara nga USAID, ku për rreth dhjetë vite dha një kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e praktikave moderne bujqësore. Gjurmët e punës së tij shihen edhe sot në shumë ferma, projekte dhe te profesionistët që patën fatin të punojnë me të.
Më pas vazhdoi angazhimin në Shoqatën Nacionale të Pemëve të Imëta “Mjedra e Kosovës”, ku për gjashtë vite kontribuoi fuqishëm në zgjerimin e sipërfaqeve me pemë të imëta, organizoi dhe mori pjesë në dhjetëra aktivitete profesionale, trajnime, konferenca dhe nisma që e bënë sektorin e pemëve të imëta të njihet edhe jashtë vendit. Ai ishte ndër ata njerëz që besonte se bujqësia kosovare mund të jetë konkurruese dhe dinjitoze në tregun ndërkombëtar.
Paralelisht, Naimi ishte ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë në Kolegjin UBT, ku me përkushtim ndau dijen dhe përvojën e tij me studentët. Ai nuk ishte vetëm profesor, por mentor i vërtetë, i afërt, praktik dhe gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të rinjtë të gjenin rrugën e tyre në profesion.
Në tri vitet e fundit udhëhoqi Fondacionin AgroDev, ku realizoi një punë të jashtëzakonshme në fuqizimin e agronomëve të rinj, organizimin e aktiviteteve profesionale, diskutimeve, podcasteve dhe nismave që sollën frymë të re në komunitetin bujqësor, përfshirë edhe organizimin e konferencës ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së bimëve. Mentaliteti i tij zhvillimor dhe aktivitetet në nivel evropian i sollën një energji të re sektorit të bujqësisë në Kosovë. Ai besonte se zhvillimi i sektorit fillon nga njerëzit dhe se investimi në dije është investimi më i sigurt.
Përveç profesionalizmit, Naimi do të kujtohet për diçka shumë njerëzore: sensin e tij të veçantë të humorit, pozitivitetin dhe energjinë që sillte kudo. Ai dinte t’i bënte edhe momentet më të vështira me të lehta, duke buzëqeshur dhe duke i motivuar të tjerët të mos dorëzohen. Ishte i dashur për të gjithë, kolegë, studentë, fermerë dhe miq, sepse ishte i sinqertë, i thjeshtë dhe gjithmonë pranë njerëzve.
Naim Krasniqi la pas jo vetëm një boshllëk të madh njerëzor, por edhe një trashëgimi profesionale që do të vazhdojë të jetojë në punën, projektet dhe njerëzit që ai formoi.
Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje.
Shkroi:
Kujtim Lepaja
Drejtor Ekzekutiv, “Mjedra e Kosovës”
