- Efekti klimatik i vitit 2024 në industrinë e mjedrës në Kosovë
- Efekti klimatik i vitit 2023 në industrinë e mjedrës në Kosovë
Viti 2024 shënoi vitin e dytë radhazi me sfida të mëdha për bujqësinë në Kosovë, veçanërisht për sektorin e mjedrës. Pas vitit 2023, i cili u karakterizua nga reshje të mëdha pranverore që shkaktuan humbje në mbi 200 hektarë me mjedër të kultivarëve vjeshtorë, shpresat ishin që ky vit të ishte më i favorshëm.
Fillimi i vitit 2024 dha shenja pozitive. Vegetacioni nisi me një gjendje të shkëlqyer, dhe asnjëherë më parë pemishtet e mjedrës nuk kishin qenë në kushte kaq të mira deri në fund të qershorit. Fermerët u kujdesën në mënyrë të përpiktë për masat agroteknike dhe pomoteknike, ndërsa gjendja shëndetësore e bimëve ishte e jashtëzakonshme.
Mirëpo, situata ndryshoi papritmas më 23 qershor. Në Zhup të Prizrenit, një rajon ku kultivimi i mjedrës ka pasur sukses dhe prodhim cilësor ndër vite, një breshër i fuqishëm shkatërroi tërësisht prodhimin e mjedrës pranverore. Përveç dëmeve në prodhimin e vitit 2024, breshëri shkaktoi dëme edhe për vitin e ardhshëm, pasi llastarët e rinj, që përgatiten për frutdhënie në sezonin tjetër, u shkatërruan. Viti 2025 do të jetë pa 50 ha mjedër.
Pas kësaj sfide, kultivarët vjeshtorë u përballën me një tjetër goditje klimatike. Nga fillimi i korrikut deri në fund të gushtit, vendi u kaplua nga temperatura të larta, me 35 ditë radhazi ku temperaturat tejkaluan 35°C. Këto kushte ekstreme shkaktuan:
- Rënie të prodhimit
- Degradim të cilësisë së mjedrës
- Humbje ekonomike të mëdha, me një dëm të vlerësuar prej rreth 3 milionë euro, për shkak të humbjes së rreth 1000 tonë prodhim.
Ky ishte viti i dytë me radhë që sektori i mjedrës në Kosovë u përball me sfida klimatike të ashpra. Për t’iu kundërvënë këtyre sfidave, Shoqata Nacionale e Pemëve të Imëta, Mjedra e Kosovës, ka nisur përgatitjet për teste dhe strategji të reja gjatë vitit 2025. Këto përfshijnë:
- Testimin e kultivarëve të rinj dhe më rezistentë ndaj kushteve ekstreme.
- Implementimin e sistemeve të mençura për ujitje dhe plehërim.
- Përdorimin e sistemeve të ujitjes për uljen e temperaturave të ajrit.
- Instalimin e pompave solare për nxjerrjen e ujit.
Këto teste dhe masa do të realizohen me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë si USAID/ADAPT, CARITAS/EREA duke siguruar investime dhe ekspertizë për rritjen e qëndrueshmërisë së industrisë së mjedrës. Këto përpjekje synojnë të ndihmojnë fermerët të përballen me ndikimet gjithnjë e më të ashpra të ndryshimeve klimatike dhe të ruajnë konkurrueshmërinë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Fot. 1. Pamje e pemishtës së mjedrës në Teneshdoll, Prishtinë, e prekur nga temperaturat e larta, të cilat ndërprenë prodhimin 30 ditë më herët se normalisht.
Viti 2023 shënoi një nga vitet më sfiduese për bujqësinë, veçanërisht për kultivimin e mjedrës në Kosovë. Ky vit u karakterizua nga sfida të mëdha klimatike që goditën rëndë sektorin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në këtë industri.
Pranvera e vitit 2023, sidomos muajt prill dhe maj, u shoqërua me reshje të vazhdueshme dhe pothuajse të pandërprera. Këto kushte të pafavorshme klimatike sollën pasoja serioze për kultivuesit e mjedrës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe humbje të sipërfaqeve të mbjella. Sipas të dhënave, rreth 200 hektarë të mbjella me mjedër u kalbën nga reshjet e shiut. Ky ishte një ndër vitet me ndikimin më të madh negativ që sektori i mjedrës në Kosovë ka përjetuar deri më tani, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Mjedra dhe pemët e imëta janë kultura jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj lagështisë së tepërt. Kushtet klimatike të vitit 2023 e vunë në pah nevojën urgjente për të adresuar këto sfida përmes strategjive të reja dhe inovacioneve. Për të përballuar këtë situatë, sektori i mjedrës në Kosovë ka marrë hapa për të testuar varietete të reja të mjedrës gjatë vitit 2025, të cilat kanë potencial për t’u përshtatur dhe për të qenë më rezistente ndaj lagështisë së tepërt, por edhe ndaj temperaturave të larta.
Këto përpjekje për të diversifikuar dhe përmirësuar kultivarët e mjedrës janë të domosdoshme për të siguruar që sektori të mbetet konkurrues dhe i qëndrueshëm përballë sfidave klimatike që mund të vazhdojnë në të ardhmen.
Industria e mjedrës në Kosovë mbetet një sektor me potencial të madh, por përballja me ndryshimet klimatike kërkon angazhim të vazhdueshëm, investime strategjike dhe bashkëpunim ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe ekspertëve të bujqësisë. Vetëm në këtë mënyrë, mjedra e Kosovës mund të sigurojë vazhdimësinë dhe suksesin në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Fot. 1: Pemishtja e mjedrës në prill (Mirash, Ferizaj), gjatë reshjeve të shiut – gjendja shëndetësore shumë e mirë.
Fot. 2: Pasojat e reshjeve të shiut në të njëjtën pemishte mjedre në korrik – tharje e pjesshme e pemishtes (Mirash, Ferizaj).
Efekti klimatik i vitit 2024 në industrinë e mjedrës në Kosovë
Viti 2024 shënoi vitin e dytë radhazi me sfida të mëdha për bujqësinë në Kosovë, veçanërisht për sektorin e mjedrës. Pas vitit 2023, i cili u karakterizua nga reshje të mëdha pranverore që shkaktuan humbje në mbi 200 hektarë me mjedër të kultivarëve vjeshtorë, shpresat ishin që ky vit të ishte më i favorshëm. Fillimi…
Efekti klimatik i vitit 2023 në industrinë e mjedrës në Kosovë
Viti 2023 shënoi një nga vitet më sfiduese për bujqësinë, veçanërisht për kultivimin e mjedrës në Kosovë. Ky vit u karakterizua nga sfida të mëdha klimatike që goditën rëndë sektorin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në këtë industri. Pranvera e vitit 2023, sidomos muajt prill dhe maj, u shoqërua me reshje të vazhdueshme dhe pothuajse…