Njëra ndër kopertativat më të organizuara jo vetëm në vend, “Red Gold” në Reçan, Prizren, antare e shoqatës nacionale “Mjedra e Kosovës,” po kalon momente të vështira pas reshjeve të breshërit që goditën fshatrat e Reçanit ditë më parë. Ky rajon i komunitetit boshnjak, që çdo vit ka sjellë Kosovës mbi 1 milion euro duke eksportuar mjedër në vende të ndryshme të Evropës, këtë vit nuk do të mund të realizojë këtë sukses.
Kjo koperativë, që ka qenë shembull i suksesit me mbi 100 fermerë (pronar të koperativës) të organizuar, që së bashku kultivonin dhe tregtonin mjedrën dhe boronicën, tani po përballet me sfida të mëdha. Kultivimi i mjedrës me kultivar pranveror, që jep fryt në llastarët dyvjeçar, që është kultivaur në këtë rajon malor, është goditur rëndë nga breshëri, duke shkatërruar prodhimin e këtij viti dhe dëmtuar llastarët e rinj për prodhim në vitin e ardhshëm. Pra, dëmet janë të dyfishta – për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm. Boronica e kultivuar gjithashtu ka pësuar dëmtime të mëdha.
Të moshuarit e këtij rajoni thonë se nuk mbajnë mend asnjëherë breshër aq të rrëmbyeshëm sa ai që ra para disa ditësh. Pemishtet duken sikur janë në fillim të vegjetacionit, me llastarët të zhveshur nga gjethet dhe frutat.
Kjo është një goditje e rëndë për sektorin e mjedrës në Kosovë. Fermerët e Kopertativës “Red Gold” janë ndër më të mirët në vend, duke prodhuar cilësi dhe sasi të konsiderueshme. Ata janë shumë të organizuar dhe meritojnë vëmendje dhe mbështetje për të tejkaluar këtë situatë të vështirë.
Fermerët e Kopertativës “Red Gold” kanë nevojë për përkrahje më shumë se kurrë për të kaluar këtë katastrofë natyrore, apo më mirë të themi, për të përballuar ndryshimet klimatike që kanë prekur globin dhe vendin tonë. Humbjet që u janë shkaktuar fermerëve të këtij rajoni janë të pakompenzueshme, por ne duhet të mendojmë për mënyra si t’i ndihmojmë, të ngrisin pemishte të reja me infrastrukturë adekuate për kushtet klimatike të kohës dhe t’ju kthehet motivimi për punë.
Të gjithë ata që janë të përfshirë në përkrahjen e bujqësisë në vendin tonë, qofshin nga qeverisja qendrore, lokale apo donatorë të ndryshëm, duhet ta vizitojnë koperativën “Red Gold” dhe t’ju dalin në ndihmë që ta marrin veten sa më shpejt dhe t’i kthehen storieve të suksesit.
Bashkëpunimi dhe solidariteti janë thelbësore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë në Kosovë.