Konferenca ndërkombëtare e pemëve të imëta në Holandë: Mundësi për inovacion dhe rrjetëzim

Konferenca ndërkombëtare e pemëve të imëta, e organizuar nga Delphy në Holandë më 10 dhe 11 janar 2024, ishte një ngjarje e rëndësishme që mblodhi rreth 1000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfshirë mbi 100 kompani ekspozuese të zingjirit të prodhimit të pemëve të imëta. Kjo konferencë shërbeu si një vend për rrjetëzimin, shkëmbimin e njohurive dhe përparimin e industrisë në fushën e kultivimit të pemëve të imëta. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Shoqatës Nacionale të Mjedrës së Kosovës ‘Mjedra e Kosovës’, si dhe fermerëve të dalluar nga Shqipëria, inkurajoi krijimin e lidhjeve të reja dhe shkëmbimin e njohurive të vlefshme.

Konferenca nisi me një vizitë të ekspozitës, duke prezantuar një varg të gjerë ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët mbajtën prezantime mbi tema të ndryshme. Këto përfshinin strategjitë për rritjen e prodhimit të pemëve të imëta, zhvillimet e fundit në prodhimin me LED gjatë gjithë vitit, si dhe tendencat në prodhimin global. Sesionet trajtuan tema të ndryshme si teknikat e avancuara të rritjes së boronicave, zhvillimet në kultivarët e rinj të mjedrës dhe manaferrës, mbrojtjen e qëndrueshme të dredhëzës dhe teknologjitë e fundit për kultivimin me sukses të pemëve të imëta.

Në ditën e parë 16 folës prezantuan, me laramani të temave, ku përfundoi me diskutime interesante mbi të ardhmen e kultivimit të pemëve të imëta, përdorimin e teknologjive të fundit për të rritur rendimentin dhe metodat praktike të ujitjes. Dita e parë u mbyll me fjalët përmbyllëse nga Bart Jongenelen udhëheqës i sektorit të pemëve të imëta në Delphy, duke siguruar një përfundim të suksesshëm për një ditë të mbushur me njohuri të vlefshme.

Dita e dytë ofroi pjesëmarrësve mundësinë për të fituar njohuri praktike përmes vizitave në terren në qendrën inovative të pemëve të imëta Delphy dhe pemishten dhe fidanishten më moderne të pemëve të imëta jo vetëm në Holandë, Genson. Këto vizita ofruan përvoja praktike në lidhje me kultivimin e dredhëzës dhe mjedrës, duke shtuar më tej kuptimin e pjesëmarrësve për prodhimin e pemëve të imëta.

Në përgjithësi, konferenca ndërkombëtare e pemëve të imëta e mbajtur në Holandë ishte e rëndësishme në lehtësimin e shkëmbimit të njohurive, duke prezantuar zhvillimet më të fundit dhe nxitjen e lidhjeve domethënëse brenda industrisë globale të pemëve të imëta. Ngjarja nënvizoi rolin kryesor të teknologjisë holandeze në nxitjen e inovacionit në këtë sektor dhe theksoi angazhimin e industrisë për përmirësim të vazhdueshëm. Për më tepër, pjesëmarrja e Shoqatës ‘Mjedra e Kosovës’ ishte shumë e rëndësishme duke krijuar lidhje të reja me industrinë në botë, veçanërisht përmes ekspertëve ndërkombëtar që kanë marrë pjesë në 8-të konferencat e mjedrës të organizuara në Kosovë. Kjo ka kontribuar në një imazh pozitiv të sektorit të pemëve të imëta në mbarë botën, duke shprehur interes të konsiderueshëm nga ekspert dhe fermer nga bota për të vizituar Kosovën dhe për të filluar me bashkëpunime profesionale, kërkimore dhe për tregtimin e produktit shumë cilësor i cili prodhohet në Kosovë.

Kujtim Lepaja

Mjedra e Kosovës

Scroll to Top