Përmes pjesëmarrjes në panairet e ndryshme të ushqimit në Evropë, pemët e imëta të kultivara në Kosovë vazhdimisht bëjnë prezencën e tyre në një nivel shume të lartë. Gjatë këtyre ditëve, është mbajtur njëri nga panairet më të rëndësishme të ushqimit në Evropën jugore në Athinë, Greqi, “Food Expo”, ku anëtari i shoqatës “Mjedra e Kosovës”, qendra grumbulluese “Eurofruti” nga Prishtina, po prezanton produktet e pemëve të imëta të cilat kultivohen në vendin tonë, respektivisht brendin e ri Minus Zero.
Tregu grek është i rëndësishëm për industrinë tonë, duke marrë parasysh afërsinë tonë gjeografike dhe kërkesat e larta të tregut.
Gjatë këtyre ditëve të panairit, shumë kompani, distributor me shumicë dhe pakicë të sektoreve ushqimore jo vetëm nga Greqia, por edhe të vendeve të tjera evropiane kanë vizituar standin e “Eurofrutit” në këtë panair. Rezultatet e pritura nga kjo paraqitje në panair pritet të japin efekte të shpejta, duke e çuar mjedrën dhe produktet e tjera të pemëve të imëta në tregun grek.
Nga ky vit, vlera e mjedrës e prodhuar në Kosovë është shtuar duke u paketuar për konsumin final, duke e kthyer atë në produkt të gatshëm për t’u konsumuar nga konsumatori, dhe shumë atraktiv për tregjet evropiane. Deri vitin e kaluar mjedra e kultivuar në vendin tonë, është eksportuar si lëndë e parë në Evropë, ku është ripaketuar dhe plasuar në treg nga blerësit evropian.
Panairin e vizitoi edhe ambasadori i Kosovës në Greqi, z. Fitim Gllareva, i cili ka shfaqur një angazhim të jashtëzakonshëm në krijimin e kontakteve dhe në mbështetjen e kompanive të Kosovës për të hyrë në tregun grek. Ai ka qëndruar për një periudhë kohore në këtë panair, duke ju ofruar mbështetjen maksimale kompanive për krijimin e kontakteve të reja. Po ashtu, në zyrat e ambasadës së Kosovës në Athinë, përfaqësuesit e shoqatës “Mjedra e Kosovës”, fondacionit “Agrodev” dhe kompanisë “NutriFruit” nga Gjilani janë pritur ngrohtësishtë nga ambasadori për të diskutuar rreth potencialit dhe mundësisë që sa më shumë kompani/produkte nga Kosova të jenë prezentë në këtë treg.
Pjesëmarrja në panaire po tregohet shumë e rëndësishme, tani anëtarët e Shoqatës “Mjedra e Kosovës” kanë ndryshuar edhe mënyrën e përfaqësimit të tyre në panaire, duke ju dedikuar profileve të tyre tregtare, për të qenë të pavarura dhe të jenë në gjendje jo vetëm për të prezantuar produktet e tyre, por edhe vendin tonë në mënyrë të duhur dhe profesionale, siç është rasti i qendrës grumbulluese “Eurofruti” Prishtinë.
Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës