Në pasditen e sotme breshëri ka goditur rëndë sektorin e pemëve të imëta në disa fshatra të Recanit, Prizren. Në momentin kur mjedra hyri në frytdhenie të plotë (te kultivarët pranveror), zona e njohur për prodhimin e mjedrave më cilësore në vendin tonë, në Recan, Prizren, (rreth 100 ha) respektivisht fshatrat Lubinje e Epërme, Lubinje e Poshtme, Mushnikove, Drajcic etj., u godit nga një stuhi e fortë breshëri. Dëmet janë shumë të mëdha, jo vetëm për këtë vit por edhe për vitin e ardhshëm, pasi dëmi është bërë edhe te llastarët e rinj të cilët hyjnë në frytdhenie në vitin e ardhshëm.
Kjo goditje e breshërit dëshmon edhe njëherë efektet e ndryshimeve klimatike, në këtë rast me breshër të shpeshtë dhe të rëndë që po ndikojnë në ngecjen e zhvillimit të bujqësisë. Fermerët po përballen me sfida të mëdha për të ruajtur prodhimin dhe cilësinë e kulturave të tyre në këto kushte të vështira.
Fermerët e kësaj zone janë pjesë e Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, përmes kooperativës më të organizuar në vend, “Red Gold”. Këta fermerë duhet të mbështeten dhe të stimulohen që të qëndrojnë në sektor. “Red Gold” është një shembull i shkëlqyer dhe duhet të vazhdojë të përkrahet.
Mbështetja duhet të jetë thelbësore për t’u siguruar që ky sektor të mbijetojë dhe të rimëkëmbet pas kësaj goditjeje të rëndë. Fermerët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të përballuar këto sfida të mëdha dhe për të siguruar që prodhimi i mjedrave të vazhdojë të jetë një burim i qëndrueshëm i të ardhurave për fermerët e vendit tonë.