Kujtim Lepaja – Drejtor ekzekutiv – Mjedra e Kosovës
Në një kohë kur lajmet për produkte bujqësore me mbetje të pesticideve përhapen gjithandej në media dhe rrjete sociale, shpesh dëmtohet jo vetëm imazhi i fermerëve, por edhe i tërë sektorit bujqësor të vendit. Mungesa e edukimit, kontrollit dhe ndërgjegjësimit për standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore çon në humbjen e besimit të konsumatorëve dhe të tregjeve ndërkombëtare.
Por, rasti i mjedrës në Kosovë paraqet një përjashtim të rëndësishëm – një histori suksesi që fillon me edukimin dhe ndërtohet mbi bashkëpunim, disiplinë dhe vizion afatgjatë.
Kultivimi masovik i mjedrës në Kosovë ka nisur në vitin 2012, me projekte bujqësore të USAID-it. Që nga ajo kohë, janë bërë përpjekje të vazhdueshme për edukimin dhe ndërgjegjësimin e fermerëve, për t’i pajisur ata me njohuri të avancuara mbi praktikat e qëndrueshme të kultivimit, përdorimin e kontrolluar dhe të sigurt të inputeve bujqësore, si dhe për rëndësinë e përmbushjes së standardeve të kërkuara nga tregjet e Bashkimit Evropian.
Ky edukim është realizuar përmes trajnimeve të drejtpërdrejta, vizitave në terren, manualeve teknike, si dhe mbështetjes së vazhdueshme nga shoqatat rajonale të mjedrës, më vonë edhe nga shoqata nacionale “Mjedra e Kosovës”, donatorët dhe institucionet publike e private që kanë kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të sektorit.
Që nga fillimi i këtij sektori, mijëra tonë mjedër janë eksportuar nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Deri më sot, nuk është raportuar asnjë rast që ndonjë sasi mjedre e kultivuar në Kosovë të jetë kthyer nga blerësit apo të ketë shkaktuar alarm për shkak të mbetjeve të pesticideve.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm që flet për përkushtimin e fermerëve dhe seriozitetin e gjithë zinxhirit të vlerës.
Qysh në fillim, sektori u ndërtua mbi një kulturë të përbashkët edukimi dhe përgjegjësie. Fermerëve iu bë e qartë se vetëm një gabim individual mund të ndikojë negativisht në gjithë industrinë. Ata kuptuan se për të hyrë dhe qëndruar Kosova në tregjet evropiane, duhej të respektoheshin kërkesat e tyre strikte. Nëse një fermer nuk i përmbahet standardeve, ai rrezikon jo vetëm vetën, por edhe kolegët dhe tërë sektorin.
Në vitet 2017 dhe 2018, 466 fermerë të mjedrës në rajonin e Llapit u certifikuan me standardin GlobalG.A.P., e me qindra të tjerë në rajone të ndryshme të vendit tonë duke formuar grupin më të madh të certifikuar të mjedrës në botë dhe grupin e dytë më të madh për të gjitha kulturat bujqësore në nivel global.

Ky sukses nuk ishte i rastësishëm. Ai erdhi si rezultat i investimeve në edukim, angazhimit të vazhdueshëm dhe vendosmërisë për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues ndërkombëtarisht. Praktikat e mira dhe puna e palodhshme e atyre viteve sot po japin frytet e veta, duke e pozicionuar Kosovën si një shembull për rajonin dhe më gjerë.
Rasti i mjedrës në Kosovë është një dëshmi e qartë se edukimi është çelësi i suksesit në bujqësi. Nëse synojmë të ruajmë dhe forcojmë pozitën tonë në tregjet ndërkombëtare, duhet të vazhdojmë të investojmë në edukimin e fermerëve, certifikimin e prodhimit, gjetjen e tregut, si dhe në monitorimin e vazhdueshëm të praktikave bujqësore.
Në një treg gjithnjë e më kërkues, cilësia dhe siguria ushqimore nuk janë më përparësi – janë domosdoshmëri.