NË PRAG TË KONFERENCËS JUBILARE TË 10-të TË MJEDRËS NË KOSOVË

“Inovacioni dhe qëndrueshmëria në kultivimin e mjedrës në një periudhë ndryshimesh”

3 Dhjetor 2025  Hotel Emerald, Prishtinë

Kosova këtë vit shënon një moment historik për sektorin e mjedrës, Konferencën e 10-të Ndërkombëtare të Mjedrës, ngjarjen më të madhe të këtij lloji në Evropë. Asnjë vend tjetër nuk ka arritur të mbajë dhjetë konferenca radhazi, çka e bën këtë jubile një dëshmi të përkushtimit të një vendi të vogël me një dashuri të madhe për mjedrën.

Që nga konferenca e parë, rrugëtimi i sektorit të mjedrës në Kosovë ka qenë një histori përparimi, bashkëpunimi dhe qëndrueshmërie. Sot, Kosova është e njohur si një prodhuese e rëndësishme e mjedrës me cilësi të lartë, shumë e kërkuar në tregjet evropiane. Viti 2025 ka sjellë kërkesa të jashtëzakonshme për mjedrën në Evropë dhe çmime të larta, duke nxitur një interes të shtuar për kultivimin e saj në vend dhe më gjerë.

Këtë vit vërehet se edhe Shqipëria ka filluar të kultivojë mjedrën me shumë entuziazëm. Kosova është gjithmonë pranë këtij zhvillimi, duke ndarë përvojat dhe përkrahur nismat që forcojnë industrinë e Shqipërisë.

Në dhjetë vite, Konferenca e Mjedrës është shndërruar nga një nismë e vogël në një ngjarje me ndikim të gjerë evropian. Ajo ka krijuar një konferencë unike për shkëmbimin e përvojave, ku çdo vit mblidhen mbi 350 pjesëmarrës – fermerë, përpunues, eksportues dhe ekspertë nga shumë vende. Konferenca ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e cilësisë së prodhimit, në përhapjen e teknologjive moderne dhe në forcimin e pozitës së mjedrës kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Edicioni jubilar i këtij viti, me temën “Inovacioni dhe qëndrueshmëria në kultivimin e mjedrës në një periudhë ndryshimesh”, fokusohet në mënyrat se si sektori po përshtatet me ndryshimet klimatike, me nevojat e tregut dhe me përdorimin e teknologjive të avancuara. Menaxhimi i ujitjes, ruajtja e cilësisë pas vjeljes dhe zhvillimi i modeleve të qëndrueshme të prodhimit do të jenë në qendër të diskutimeve.

Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” mbetet forca kryesore që ka bashkuar sektorin rreth një vizioni të përbashkët. Përmes trajnimeve, këshillimeve dhe partneriteteve të shumta, ajo ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të fermerëve dhe në promovimin e standardeve të larta të cilësisë. Konferenca është një pasqyrim i përbashkët i punës, përkushtimit dhe dashurisë që fermerët kosovarë kanë për mjedrën dhe tokën e tyre.

Në këtë përvjetor të dhjetë, nuk festojmë vetëm një dekadë suksesi, por edhe një vizion të ri për të ardhmen. Kosova ka dëshmuar se me punë, përkushtim dhe bashkëpunim mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme. Sot, më shumë se kurrë, ne jemi gati për një dekadë të re inovacioni dhe zhvillimi në sektorin e mjedrës.

Kosova ka dëshmuar se prodhon mjedra të cilësisë së lartë. Tani është koha ta ruajmë dhe ta forcojmë këtë reputacion! Sepse, edhe pse jemi një vend i vogël, dashuria dhe përkushtimi ynë për mjedrën janë të mëdha – dhe kjo është fuqia jonë më e madhe.

Nga Kujtim Lepaja
Drejtor Ekzekutiv, Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top