Interes i madh për mjedrën në Kosovë, por mungesë fidanësh në Evropë

Interesi për kultivimin e mjedrës në Kosovë vazhdon të rritet ndjeshëm, në përputhje me zhvillimet e fundit në tregun evropian dhe global. Aktualisht, shumica e fidanishtave prestigjioze evropiane raportojnë mungesë të materialit fidanor, pasi prodhimi i tyre është shitur pothuajse tërësisht që më herët. Kjo situatë përfaqëson një mesazh të dyfishtë për sektorin e mjedrës në Kosovë: nga njëra anë, mjedra mbetet një kulturë shumë aktuale dhe me kërkesë të vazhdueshme për zgjerim të sipërfaqeve, ndërsa nga ana tjetër, mungesa e fidanëve po shfaqet si një sfidë serioze për zhvillim të mëtejmë.

Gjatë këtij viti, Kosova pritet të mbjellë maksimumi rreth 25 hektarë të rinj me material fidanor cilësor, të prodhuar në Evropë nga fidanishtet më prestigjioze. Mbjelljet e reja të mjedrës zakonisht realizohen gjatë muajit maj, çka nënkupton se planifikimi dhe sigurimi i materialit fidanor duhet të bëhen shumë muaj më herët. Megjithatë, kërkesa reale në terren është dukshëm më e lartë dhe vlerësohet të jetë së paku katër herë më e madhe. Kjo tregon qartë se interesi i fermerëve ekziston dhe potenciali për zgjerim është i pranishëm, por kapacitetet aktuale për furnizim me fidanë po e kufizojnë këtë zhvillim.

Sipas njërit prej anëtarëve të Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, kompanisë Agrium, e cila merret me grumbullimin e pemëve të imëta dhe është një nga furnizuesit kryesorë të inputeve bujqësore në vend, fidanët për këto 25 hektarë janë porositur shumë herët. Ndërkohë, kërkesat për mbjellje të reja vazhdojnë të vijnë çdo ditë, por aktualisht nuk ekziston më mundësia për porosi shtesë në tregun evropian. Në sektorin e mjedrës, porositë e materialit fidanor duhet të bëhen më së voni deri në fund të muajit dhjetor, ndërsa në Kosovë shpesh mbizotëron qasja “sot për nesër”, e cila nuk përputhet me realitetin e planifikimit afatgjatë që kërkon bujqësia moderne.

Rritja e interesit për mjedrën në vitet e fundit lidhet drejtpërdrejt me mungesën e prodhimit në disa vende evropiane dhe me çmimet e larta që po dominojnë tregun global. Këta faktorë e kanë bërë mjedrën një nga kulturat më atraktive për fermerët kosovarë. Megjithatë, si vend, këto mundësi të favorshme shpesh nuk po shfrytëzohen në mënyrë të plotë, kryesisht për shkak të mungesës së përgatitjes dhe planifikimit në kohë.

Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të mjedrës kërkon angazhim dhe koordinim më të madh ndërmjet fermerëve, sektorit privat, si dhe qeverisjes qendrore dhe lokale. Nëse synohet rritje reale e sipërfaqeve të mbjella dhe përfitim maksimal nga trendet pozitive të tregut, politikat mbështetëse dhe thirrjet për mbjellje të sipërfaqeve të reja duhet të planifikohen shumë më herët, në përputhje me ciklin biologjik dhe tregtar të kësaj kulture.

Kosova aktualisht bazohet pothuajse tërësisht në importin e materialit fidanor, por ndër vite ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me kompanitë kryesore evropiane të mjedrës. Këto kompani, për më shumë se një dekadë, kanë besuar në seriozitetin e sektorit të mjedrës në Kosovë dhe kanë furnizuar vendin me kultivarët më të rinj dhe më konkurrues.

E ardhmja e mjedrës në Kosovë mbetet premtuese. Interesi i lartë i fermerëve, kërkesa e qëndrueshme në treg dhe përvoja e krijuar ndër vite përbëjnë një bazë të fortë për zhvillim të mëtejmë. Sfida kryesore mbetet planifikimi në kohë dhe sigurimi i materialit fidanor cilësor, në mënyrë që këto mundësi të mos mbesin vetëm potencial, por të shndërrohen në sukses konkret për bujqësinë kosovare.

Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top