Sektori i pemëve të imëta nga Kosova merr pjesë në panairin ndërkombëtar Macfrut në Rimini të Italisë

Sektori i pemëve të imëta në Kosovë ka marrë pjesë në panairin ndërkombëtar Macfrut 2026, i cili u mbajt nga 21 deri më 23 prill në Rimini, Itali. Ky event konsiderohet një nga panairet më të rëndësishme në Evropë për sektorin e frutave dhe perimeve, duke mbledhur mijëra vizitorë, kompani dhe ekspertë nga e gjithë bota.

Pjesëmarrja u organizua nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, me mbështetjen e Caritas Switzerland përmes projektit EREA. Delegacioni nga Kosova (23 antarë) përbëhej nga përfaqësues të fermerëve, pikave grumbulluese dhe kompanive të sektorit të mjedrës dhe boronicës, të cilët patën mundësi të prezantojnë potencialin e prodhimit vendor dhe të krijojnë lidhje të reja biznesore.

Gjatë panairit, një fokus i veçantë iu kushtua pjesës së njohur si “Berry Area”, ku u zhvilluan një numër i madh takimesh me kompani dhe aktorë kryesorë ndërkombëtarë të sektorit të pemëve të imëta. Në këtë hapësirë, delegacioni nga Kosova realizoi takime të rëndësishme me kompani të njohura, duke diskutuar mbi zhvillimin e kultivarëve, teknologjitë e reja të prodhimit dhe kërkesat e tregut evropian.

Pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me trendet më të fundit në sektor, duke përfshirë përzgjedhjen e varieteteve moderne, menaxhimin pas vjeljes, paketimin dhe standardet e cilësisë që kërkohen nga tregjet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, u zhvilluan takime të shumta me blerës potencialë, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe mundësi eksporti për prodhuesit nga Kosova.

Kjo pjesëmarrje konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e pozitës së sektorit të mjedrës dhe pemëve të imëta në tregjet ndërkombëtare, si dhe për rritjen e konkurrueshmërisë përmes adoptimit të praktikave dhe standardeve më të avancuara.

Në tërësi, pjesëmarrja në Macfrut 2026 konfirmon potencialin e madh që ka Kosova në prodhimin e pemëve të imëta dhe rëndësinë e integrimit të mëtejmë në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top