Më 2 dhjetor 2026, në Hotel Emerald në Prishtinë, do të mbahet Konferenca e 11-të Ndërkombëtare e Mjedrës në Kosovë, një nga ngjarjet kryesore profesionale të sektorit të mjedrës në Kosovë dhe rajon.
Me temën “Inovacioni në prodhimin e mjedrës për të ardhmen”, konferenca e këtij viti do të sjellë në Kosovë ekspertë të nivelit ndërkombëtar, studiues, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive të njohura nga sektori i mjedrës dhe frutave të buta.
Programi do të trajtojë zhvillimet më të fundit në prodhimin modern të mjedrës, me fokus në kultivarët e rinj, teknologjitë e prodhimit, ushqimin dhe menaxhimin e bimës, cilësinë e frutit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, inovacionet në prodhim dhe zhvillimet e tregut evropian.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës do t’i kushtohet edhe përvojës së prodhuesve dhe ekspertëve nga Kosova, Shqipëria, Italia, Portugalia dhe vende të tjera evropiane, duke krijuar mundësi për shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave dhe njohurive praktike.

Konferenca do të mbledhë së bashku qindra fermerë, agronomë, studiues, kompani, eksportues, përpunues, institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, duke e shndërruar Prishtinën edhe këtë vit në një pikë takimi për profesionistët e sektorit të mjedrës.
Pas dhjetë edicionesh të suksesshme, Konferenca Ndërkombëtare e Mjedrës në Kosovë është tashmë një nga eventet kryesore profesionale të bujqësisë në vend dhe një ngjarje e rëndësishme për lidhjen e prodhuesve kosovarë me ekspertizën dhe inovacionet ndërkombëtare.
Edicioni i 11-të vjen me një mesazh të qartë: e ardhmja e prodhimit të mjedrës kërkon inovacion, njohuri, teknologji dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
