Çfarë është kitozani, përdorimi i tij si biostimulant dhe krahasimi me teknologjinë “ULO” për ruajtjen e pemëve të imëta pas vjeljes

PhD student – Verina Krasniqi, Mjedra e Kosovës

Kitozani është një polimer natyral dhe i biodegradueshëm, i nxjerrë nga kitina, e cila gjendet në eksoskeletet e krustaceve si karkalecat, gaforret, si dhe në muret qelizore të kërpudhave. Falë biokompatibilitetit, jo-toksicitetit dhe vetive antimikrobike, kitozani ka gjetur përdorime të shumta në bujqësi, mjekësi dhe menaxhimin e mjedisit.

Në bujqësi, kitozani po përdoret gjithnjë e më shumë si një biostimulant natyral dhe si përshpejtues i ruajtjes së frutave pas vjeljes, veçanërisht për pemët e imëta si boronica, mjedra dhe dredhëza.

Kitozani si iostimulant në kultivimin e pemëve të imëta

Kitozani, kur aplikohet gjatë fazës së kultivimit të manoreve, vepron si një biostimulues i fuqishëm, duke ndihmuar në rritjen e shëndetshme të bimës dhe fuqizimin e mekanizmave të saj mbrojtës. Ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm për pemët e imëta, të cilat janë tejet të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe stresit mjedisor.

  1. Induksioni i mekanizmave të mbrojtjes së bimës: Kitozani nxit bimët për të prodhuar përbërës mbrojtës, si fitoaleksinat dhe proteinat e lidhura me patogjenët, që rrisin rezistencën ndaj sëmundjeve. Kjo ndihmon në ruajtjen e cilësisë së frutave që nga vjelja e deri në periudhën e ruajtjes.
  2. Përmirësimi i absorbimit të lëndëve ushqyese: Duke stimuluar rritjen e rrënjëve dhe përmirësimin e absorbimit të lëndëve ushqyese, kitozani kontribon në zhvillimin e frutave të cilësisë së lartë, me struktura të forta dhe me përmbajtje të balancuar uji, që ndikojnë në ruajtjen e mëtejshme të tyre pas vjeljes.
  3. Rritja e rezistencës ndaj stresit mjedisor: Kitozani përmirëson tolerancën e bimëve ndaj stresit mjedisor, si p.sh., thatësira ose ndryshimet e papritura të temperaturës. Bimët e forta prodhojnë fruta më të fortë, që rezistojnë më mirë gjatë periudhës së ruajtjes.
  4. Rritja e përmbajtjes së antioksidantëve: Kitozani mund të rrisë përmbajtjen e antioksidantëve në fruta, gjë që i bën ato jo vetëm më të shëndetshme për konsumatorët, por gjithashtu ndihmon në parandalimin e dëmtimit oksidativ dhe ngadalësimin e procesit të prishjes.

Kitozani si mbulues natyral për zgjatjen e jetëgjatësisë së pemëve të imëta

 Pas vjeljes së frutave, kitozani mund të aplikohet si një shtresë e hollë, mbi  sipërfaqen e pemëve të imëta, duke kontribuar drejtpërdrejt në zgjatjen e jetëgjatësisë së tyre:

  1. Mbrojtje antimikrobike: Veti kationike të kitozanit i mundësojnë atij të shkatërrojë membranat qelizore të mikroorganizmave, që shkaktojnë kalbjen e frutave. Kjo është veçanërisht efektive kundër baktereve dhe mykut, duke ulur ngarkesën mikrobike të frutave dhe parandaluar kalbjen dhe mykjen.
  2. Barrierë për humbjen e ujit: Kitozani formon një film gjysmë të përshkueshëm që ndihmon në ruajtjen e lagështisë së frutave, duke i mbajtur ato të freskëta dhe të forta më gjatë. Kjo barrierë kundër dehidratimit ndihmon në ruajtjen e cilësisë dhe pamjes së tyre.
  3. Rregullimi i gazrave oksigjen dhe dioksid karboni: Shtresa e kitozanit krijon një atmosferë të kontrolluar rreth frutave, duke kufizuar ekspozimin ndaj oksigjenit dhe duke menaxhuar nivelet e dioksidit të karbonit. Kjo ndihmon në uljen e shkallës së frymëmarrjes së frutave, duke ngadalësuar procesin e pjekjes dhe kalbjes.
  4. Reduktimi i nxirjes enzimatike: Kitozani ka treguar se mund të reduktojë aktivitetin e enzimave si polifenol oksidaza (PPO), e cila shkakton nxirje të frutave. Duke inhibuar këtë enzimë, kitozani minimizon ndryshimet e dukshme të plakjes, duke e bërë frutin më tërheqës vizualisht.

Krahasimi me teknologjinë ULO (Ultra Low Oxygen)

Teknologjia ULO (Ultra Low Oxygen) është një metodë e avancuar ruajtjeje e cila kontrollon atmosferën e magazinimit të frutave duke ulur nivelet e oksigjenit dhe rritur nivelet e dioksidit të karbonit. Qëllimi është që të reduktohet frymëmarrja dhe pjekja e frutave, duke ruajtur freskinë e tyre për periudha të gjata.

Në krahasim me kitozanin, i cili përdoret si shtresë e hollë mbi sipërfaqen e frutave dhe mund të aplikohet direkt pas vjeljes, ULO është një teknologji më komplekse dhe e kushtueshme, që kërkon kushte specifike magazinimi dhe pajisje teknologjike të avancuara.

Përparësitë dhe mangësitë

  • Kitozani është një zgjidhje e thjeshtë, natyrale dhe e sigurtë, që ofron një metodë efektive për të zgjatur jetëgjatësinë e pemëve të imëta duke luftuar mikroorganizmat dhe duke ruajtur cilësinë e frutave. Ai është veçanërisht i dobishëm në bujqësinë organike dhe në zonat ku teknologjitë komplekse janë të pamundura për të zbatuar.
  • ULO ofron ruajtje të zgjatur në kushte të kontrolluara, duke minimizuar proceset fiziologjike të frutave, por kërkon investime të mëdha në infrastrukturë dhe menaxhim të kujdesshëm. Kjo metodë është më e përshtatshme për prodhuesit e mëdhenj dhe për frutat që duhen magazinuar për periudha të gjata.

A mundet kitozani të krahasohet me ULO?

Të dyja metodat ofrojnë zgjatjen e jetëgjatësisë së frutave, por secila ka avantazhet e saj specifike. Kitozani është më i aksesueshëm, i thjeshtë për t’u aplikuar dhe mund të jetë më i përshtatshëm për fermat e vogla apo prodhimin organik. ULO, nga ana tjetër, është ideal për ruajtje afatgjatë dhe menaxhim të sasisë së madhe të frutave në kushte të kontrolluara. Për prodhuesit që kërkojnë zgjidhje të përballueshme dhe të qëndrueshme, kitozani mund të jetë një alternativë më e përshtatshme, sidomos kur synohet ruajtja e cilësisë së lartë dhe respektimi i praktikave ekologjike.

Për tri vite radhazi, Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” ka realizuar prova kërkimore për të testuar efektet e kitozanit mbi jetëgjatësinë e pemëve të imëta. Rezultatet e këtyre provave kanë treguar se përdorimi i kitozanit rrit dukshëm jetëgjatësinë e frutave, duke e bërë atë një metodë efektive dhe natyrale për ruajtjen e cilësisë së tyre pas vjeljes.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top