HASKAP (Lonicera caerulea) – është pemë e imët (manore), me origjinë nga Japonia dhe Rusia. Është një kulturë në fazën testuese në Kosovë, por ka një histori të gjatë dhe interesante në disa vende të tjera të botës. Në Japoni, Haskapi është njohur dhe vlerësuar që nga shekulli i 17-të në mjekësinë tradicionale. Në Rusi, Haskapi u përmend për herë të parë në librin e botuar në vitin 1756, me titull “Përshkrimi i Tokës së Kamchatka” nga Stepan Krasheninnikov.
Pse Haskapi nuk është zbuluar më herët? Çka ka ndodhur në 30 vitet e fundit?
Në kohën e Bashkimit Sovjetik, qasja në kultivarë të vlefshëm rusë ishte shumë e kufizuar, duke e bërë shkëmbimin e formave të përshtatshme për seleksionim pothuajse të pamundur. Pas fundit të viteve 80-të të shekullit të kaluar, seleksionuesit perëndimorë mund të bënin seleksionim më të kontrolluar. Për shkak të shpërndarjes të shpejtë të informacionit përmes internetit, u bë më e lehtë, më e lirë, më e shpejtë dhe e disponueshme për të gjithë. Metodat moderne, të shpejta, të besueshme dhe efektive të përhapjes u bënë të disponueshme dhe u bënë rutinë në biznesin e bimëve të Haskapit, duke ndikuar ndjeshëm në treg.
Haskapi është një super ushqim për shkak të natyrës së tij të pasur me antioksidantë dhe përfitimet shëndetësore që ofron. Studimet shkencore kanë konfirmuar se Haskapi ka aktivitet anti-inflamator, ndihmon në kurimin e çrregullimeve të funksionimit të retinës, ndihmon në uljen e presionit të gjakut, është i ulët në kalori por i lartë në lëndë ushqyese të vlefshme. Për më tepër, frutat e haskapit janë të shijshëm dhe të pëlqyer nga njerëzit, duke i bërë ato një zgjedhje të shkëlqyer për një ushqim të shëndetshëm.
Si kultivohet Haskapi?
Haskapi është një kulturë që nuk është e vështirë për të mbjellë. Ajo ka kërkesa të ulëta për tokën dhe është plotësisht rezistente ndaj ngricave dimërore. Për shkak të sezonit shumë të hershëm të pjekjes, frutat nuk konkurrojnë në treg me fruta të tjerë dhe mund të mbillen në toka të varfra.
Kërkesat e rritjes dhe disa karakteristika të haskapit:
Tolerante për sa i përket tokës, pH 4 – 8, e përshtatshme për toka të lehta dhe toka të rëndë. Jo i përshtatshëm për toka të kripura. Plotësisht rezistent ndaj ngricave dimërore, pema mbijeton deri – 46 ⁰C. Për shkak të sezonit shumë të hershëm të pjekjes Qershori në Evropën e Mesme, ndërsa dekada e dytë e Majit në Kosovë shmang problemet me djegien nga dielli të frutit, dhe me shumicën e dëmtuesve dhe sëmundjeve. Deri më tani, haskap nuk ka ndonjë sëmundje serioze dhe problem me dëmtues, mund të kultivohet në mënyrë organike ose me përdorim shumë të kufizuar të pesticideve. Është rezistente ndaj ngricave të vona, lulet mbijetojnë deri – 8-10 ⁰C. Në Kosovë në fushë të hapur lulëzon në Mars.
Haskap kërkon shumë ujë gjatë sezonit të vegjetacionit, gjithashtu kërkon polenizim – frutat formohen më mirë, më të mëdhenj dhe më pas përmbajnë më shumë fara dhe janë më të ëmbël. Brumbujt funksionojnë më mirë sesa bletët (ngjashëm si te boronica). Temperaturat e ulëta dhe moti i keq tolerohen më mirë nga pjalmuesit e egër, megjithatë, gjatë motit të ngrohtë dhe pa erë në kohën e lulëzimit bletët janë më të mirat. Jep rendimente të larta 2,5 – 9 kg për bimë. Rendimenti për hektar është nga 6 – 15 t. Në frytdhënie të plot hynë në vitin e 4-të. Mund të vjelen mekanikisht ose duke i shkundur bimët. Vjelja me duar është e shtrenjtë dhe efikasiteti është i ulët. Kërkon më shumë se 1,000 orë nën 7 C. Dritarja e vjeljes mund të shtrihet në 4 javë me zgjedhjen e kultivarëve të hershëm dhe të vonë, kultivuesit nuk duhet të harrojnë për pjalmimin e kryqëzuar dhe zgjedhjen e duhur të kultivarëve. Duke qenë ende një risi në treg, haskap do të duhet shumë punë, kohë dhe shpenzime për ta njohur.
Në vendin tonë respektivisht te pemishtja/kompania ‘Dyzi Berry Fruits’ në Dyz, Podujevë përmes shoqatës ‘Mjedra e Kosovës’ që tri vite është duke u testuar.
Pra, Haskapi është një kulturë e re por me potencial të madh për të zhvilluar një treg të qëndrueshëm dhe të fitueshëm në Kosovë. Me përfitimet shëndetësore që ofron dhe lehtësinë e kultivimit, Haskapi mund të jetë një zgjedhje e shkëlqyer për fermerët dhe konsumatorët në vend.
Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës