Breshëri i 4 gushtit ka goditur rëndë komunën e Shtërpcës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e mjedrës. Edhe pse dëmtimi ndodhi në fund të sezonit të prodhimit, pasojat do të jenë të mëdha për vitin e ardhshëm, pasi janë shkatërruar lastarët e rinj që do të jepnin prodhim në vitin 2026.
Ky skenar kujton atë të Reçanit, ku breshëri i vitit të kaluar (2024) shkaktoi dëme të rënda. Si rezultat, këtë vit Reçani pothuajse nuk pati prodhim mjedrash, për shkak të dëmtimit të lastarëve nga stuhia e një viti më parë. Fatkeqësisht, historia po përsëritet dhe pritet që situata e njëjtë të ndodhë vitin e ardhshëm në Shtërpcë.
Kjo përbën një goditje serioze për industrinë e mjedrës në vend, e cila gjatë viteve të fundit është zhvilluar ndjeshëm dhe ka arritur të sigurojë tregje të qëndrueshme, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Humbja e një pjese të konsiderueshme të prodhimit do të ndikojë jo vetëm tek fermerët, por edhe tek përpunuesit dhe eksportuesit, duke reduktuar të ardhurat dhe duke dobësuar konkurrueshmërinë e sektorit në tregjet ndërkombëtare.
Prandaj, është thelbësore që ata që kanë në dorë politikat dhe mbështetjen për bujqësinë të analizojnë me kujdes situata të tilla dhe të ofrojnë ndihmë të shpejtë dhe të drejtë. Duke pasur parasysh interesin e madh për mjedrën, është e domosdoshme të gjenden masa mbështetëse për fermerët e vegjël, të cilët me sipërfaqet e tyre të kufizuara, por me numrin e madh të tyre, kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme për ekonominë vendore.
Shtërpca është njëra ndër komunat që kultivon 150 ha me mjedër.
Kujtojmë se këtë vit çmimi grumbullues i mjedrës ka qenë rreth 3.5 euro për kilogram, çka e bën këtë kulturë një burim të rëndësishëm të të ardhurave rurale. Për këtë arsye, kërkohen masa të menjëhershme mbështetëse për industrinë e mjedrës në vend. Vetëm nëpërmjet veprimeve të tilla mund të sigurohet vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e bujqësisë në Kosovë.



