Prishtinë, 3 dhjetor 2025 – Hotel Emerald
Konferenca e 10-të Ndërkombëtare e Mjedrës, ngjarja më e rëndësishme vjetore e sektorit të bujqësisë në Kosovë, u mbajt në Prishtinë më 3 dhjetor, e organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”. Këtë vit, konferenca shënoi një dekadë zhvillimi, profesionalizimi dhe bashkëpunimi, duke mbledhur 380 pjesëmarrës, përfshirë 30 fermerë nga Shqipëria, ekspertë ndërkombëtarë, kompani udhëheqëse, qendra grumbulluese, institucione dhe donatorë.

Ngjarja u hap me fjalimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Imri Demelezit. Të dy vlerësuan rëndësinë strategjike të sektorit të mjedrës për ekonominë e vendit, potencialin e madh për rritje, si dhe mbështetjen e vazhdueshme institucionale për inovacion dhe standardizim të praktikave në bujqësi.

Interesimi për konferencën ishte i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh ecurinë e sezonit të këtij viti, ku fermerët dorëzuan mjedrën në qendrat grumbulluese me një çmim mesatar 4.1 euro për kilogram, ndërsa eksporti u realizua rreth 6 euro për kilogram. Këto zhvillime e bënë sektorin edhe më atraktiv dhe shtuan vëmendjen e pjesëmarrësve.
Prezantimi i parë i konferencës u mbajt nga Kujtim Lepaja, drejtor i Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, i cili paraqiti arritjet e sektorit që nga viti 2011. Ai theksoi se Kosova aktualisht ka rreth 1,000 hektarë mjedër të kultivuara dhe një qarkullim vjetor prej rreth 15 milionë eurosh, si dhe potencial të dukshëm për zgjerim me edhe 1,000 hektarë të tjerë, duke arritur deri në 50 milionë euro qarkullim në vitet e ardhshme. Ai vuri në pah kërkesën e lartë në tregjet evropiane dhe interesimin e kompanive ndërkombëtare për kontrata afatgjata dhe investime të mundshme.

Në vijim, Prof. Endrit Kullaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës prezantoi zhvillimin e kultivimit të mjedrës në Shqipëri, duke theksuar potencialin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mundësitë për krijimin e një tregu të integruar rajonal.
Një ndër momentet qendrore të konferencës ishte paneli i moderuar nga Fatmir Selimi (AgroX), ku morën pjesë kompani të rëndësishme në nivel evropian dhe global si Andros nga Franca, SonderJansen nga Holanda dhe eksperti i njohur Mark Wood. Përfaqësuesit e këtyre kompanive shprehën interesim të fortë për bashkëpunime afatgjata dhe vlerësuan cilësinë e frutit, profesionalizmin e sektorit dhe potencialin e tregut kosovar.

Gjatë konferencës u prezantuan edhe qasje të avancuara teknike nga ekspertë ndërkombëtarë si Hans Puijk nga Bright Berries me vizionin “Mjedrat 2030”, Alessandro Gualandi nga G-Berries me teknikat moderne të seleksionimit dhe përshtatjes gjenetike, Emilia Testoni nga Battistini Vivai me zhvillimet e varieteteve të reja, dhe Vittorio Volpicelli nga Unimer me rëndësinë e plehërimit organik dhe të balancuar.
Një prej prezantimeve më të vlerësuara ishte ai i Agnieszka Orzel nga Dr.Berry, Poloni, e cila solli modele kreative të promovimit të mjedrës në jetën e përditshme, nga mbjelljet në kopshte dhe ballkone, tek aktivitetet edukative për fëmijë, fushatat kreative në supermarkete, si dhe promovimi i mjedrës si frut i shëndetshëm për familjet. Kjo qasje u konsiderua si një model i cili mund të adoptohet me sukses edhe në Kosovë.

Konferenca u mbyll me panelin e dytë, ku u prezantua gjenerata e re e qendrave grumbulluese dhe menaxherëve të rinj nga Kosova, të cilët po sjellin inovacion, qasje të reja menaxheriale dhe modernizim të zinxhirit të vlerës së mjedrës. Në këtë pjesë, sekretarja gjenerale e Shoqatës Lindita Ibishi foli për qasjen në financa dhe nevojën për investime strategjike.
Konferenca e 10-të Ndërkombëtare e Mjedrës konfirmoi edhe një herë se ky sektor është një nga motorët më premtues të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Interesi ndërkombëtar, profesionalizmi në rritje i fermerëve dhe qendrave grumbulluese, përparimet teknologjike dhe mbështetja institucionale po krijojnë bazat për një industri konkurruese dhe të qëndrueshme.
Kosova po e forcon gjithnjë e më shumë pozitën e saj si një ndër qendrat kryesore të prodhimit të mjedrës në rajon, një sektor me potencial të jashtëzakonshëm për rritje, punësim dhe eksport.
Sponsor gjeneral i konferencës ishte zyra e kryeministrit.
