Nga data 17-21 shkurt 2025 në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, u mbajt panairi Gulfood 2025, një nga eventet më prestigjioze të industrisë ushqimore. Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” ka shënuar një sukses të madh në këtë panair, me antarët e saj duke përfaqësuar sektorin e pemëve të imëta me produktet e saj të jashtëzakonshme. Ky event global ka ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve tona dhe krijimin e mundësive të reja për zgjerimin e tregjeve në arenën ndërkombëtare.
Mbi 300 takime me partnerë ndërkombëtarë
Pjesëmarrja e antarëve nga Shoqata “Mjedra e Kosoves” nga Kosova ka rezultuar në mbi 300 takime të suksesshme me importues, shpërndarës dhe rrjete të njohura tregtare nga e gjithë bota. Interesi për pemët e imëta të Kosovës ka qenë jashtëzakonisht i lartë, duke hapur perspektiva të reja për eksportuesit tanë.
Interes i lartë për mjedrat dhe pemët e imëta nga Kosova
Mjedrat dhe pemët e imëta nga Kosova po vlerësohen gjithnjë e më shumë për cilësinë e tyre të lartë dhe praktikat e qëndrueshme të kultivimit. Delegacioni kosovar ka prezantuar produktet e tyre, duke krijuar lidhje të rëndësishme me tregjet e Lindjes së Mesme, Azisë dhe Evropës.
Mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Pjesëmarrja e Shoqatës “Mjedra e Kosovës” në Gulfood 2025 është mundësuar falë mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo përkrahje ka qenë kyçe në promovimin e sektorit të pemëve të imëta dhe për përforcimin e pozitës së produkteve kosovare në tregjet globale.

Një hap përpara për agrobiznesin kosovar
Me lidhjet e reja të krijuara dhe interesin e lartë nga blerësit ndërkombëtarë, pjesëmarrja në Gulfood 2025 shënon një hap të rëndësishëm për rritjen e eksporteve dhe fuqizimin e sektorit të agrobiznesit në Kosovë. Shoqata “Mjedra e Kosovës” mbetet e përkushtuar për të ndihmuar fermerët dhe eksportuesit në zgjerimin e tregjeve dhe përmirësimin e kapaciteteve të tyre prodhuese.