Mjedra,  kulturë me interes të lartë dhe potencial të madh zhvillimi në Kosovë

Mjedra është shndërruar në një nga kulturat më të rëndësishme dhe më perspektive të bujqësisë në Kosovë. Kërkesa e vazhdueshme nga tregu evropian për mjedër cilësore ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e interesit të fermerëve për kultivimin e saj. Aktualisht, interesi për mjedrën është shumë i lartë, si nga fermerët ekzistues që synojnë zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella, ashtu edhe nga fermerë të rinj që po e shohin këtë kulturë si një mundësi reale për të ardhura të qëndrueshme dhe afatgjata.

Një nga arsyet kryesore që po e nxit këtë interes janë çmimet e larta të realizuara gjatë vitit 2025. Çmimi në nivel ferme ka arritur rreth 4 euro për kilogram, ndërsa çmimi i eksportit ka qenë rreth 6 euro për kilogram. Këto nivele çmimesh kanë dëshmuar qartë se mjedra mbetet një kulturë me vlerë të lartë ekonomike dhe me potencial të madh për eksport. Si rezultat, është rritur besimi i fermerëve dhe gatishmëria e tyre për të investuar në zgjerimin e prodhimit. Sipas pritjeve aktuale të tregut, çmimet e favorshme pritet të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm, kryesisht për shkak të kërkesës së fortë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe sfidave në prodhim që po përballen disa vende konkurrente.

Kosova gëzon kushte të përshtatshme agro-klimatike për kultivimin e mjedrës, ndërsa përvoja e fituar ndër vite ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë. Mjedra e prodhuar në Kosovë tashmë është e pranishme në tregjet evropiane dhe vlerësohet për cilësinë e saj, gjë që përbën një bazë solide për rritje të mëtejme të eksporteve dhe për forcimin e imazhit të Kosovës si vend prodhues i pemëve të imëta cilësore.

Megjithatë, për ta shfrytëzuar plotësisht këtë interes të lartë dhe për ta kthyer atë në zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, është e domosdoshme të sigurohet mbështetje e vazhdueshme për fermerët. Rritja e sipërfaqeve të mbjella me mjedër kërkon investime në fidane cilësore, sisteme moderne ujitjeje, masa mbrojtëse ndaj ndikimeve klimatike dhe aplikim të teknologjive të reja në prodhim. Po ashtu, mbështetja institucionale, politikat stimuluese dhe bashkëpunimi me sektorin privat janë thelbësore për të garantuar që zgjerimi i prodhimit të shkojë paralelisht me ruajtjen dhe rritjen e cilësisë.

Nëse interesi i lartë i fermerëve mbështetet me politika të duhura dhe investime strategjike, mjedra ka potencialin të mbetet një nga kulturat kryesore eksportuese të Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e zonave rurale, rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe forcimin e pozitës së vendit në tregun evropian të produkteve bujqësore.

Kujtim Lepaja – Drejtor Ekzekutiv “Mjedra e Kosovës”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top