Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” në bashkëpunim me pemishten “Berry Kode” dhe financuar nga GIZ përmes projektit “Promovimi i Ndërmarrësisë” ka organizuar ditën fushore për krasitjen e boronicës, në Maxhunaj, Vushtrri te pemishtja me sipërfaqe prej 5 ha “Berry Kode”.
Boronica në Kosovë si sektor në aspektin komercial ka filluar të zhvillohet nga viti 2012. Sektori i boronicës luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës në aspektin e prodhimit, eksportit, punësimit dhe zhvillimit rural. Aktualisht janë të kultivuara 150 ha, Qarkullimi i brendshëm dhe eksporti arrin mbi 1.5 milion euro, ndërsa numri i punëtorëve sezonal është mbi 1000. Kushtet klimatike në Kosovë janë të përshtatshme për prodhimin e boronicës, me avantazhin e prodhimit të hershëm në muajin qershor, kur Evropa Perëndimore nuk ka prodhim të mjaftueshëm. Kjo na jep një mundësi unike për të qenë furnizues të rëndësishëm të boronicës për Evropën Perëndimore.
Krasitja si process ëshë një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e fermerëve të boronicës dhe jo vetëm. Qëllimi i organizimit të këtij eventi, qëndron në ofrimin e njohurive teorike dhe praktike për fermerët e boronicës, për të mësuar dhe përmirësuar artin e krasitjes, i cili është thelbësor për shëndetin, produktivitetin dhe jetëgjatësinë e këtij fruit. Gjithashtu, ky process ndikon në qëndrueshmërinë afatgjate të pemishtëve.
I pranishëm për një fjalë rasti ishte edhe zv. ministri i bujqësisë, z.Imri Demelezi. Mireseardhje të pranishmeve ju dëshiroi bashkë-pronari i pemishtës z. Arif Kastrati, i cili me punën qe ka bërë në pemishten e tij, ka arritur që të ndryshon shumë qasje në zhvillim pozitiv të sektorit të boronicës në Kosovë.
Pas fjalimeve hyrëse, Dr. Kujtim Lepaja mbajti një prezantim profesional mbi krasitjen e boronicës, i ndjekur nga një demonstrim praktik nga Rob Derix. Mbi 150 pjesëmarrës, përfshirë fermerë, ekspertë të industrisë dhe student të bujqësisë, u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për industrinë e boronicës në vend. Pjesëmarrësit patën mundësinë të përfshihen në përvoja praktike të të mësuarit, duke përfshirë demonstrime të drejtpërdrejta. Pjesë e demonstrimeve ishte edhe Verina Krasniqi, agronome e re, e cila udhëheq departamentin e këshillëdhënies në shoqatën “Mjedra e Kosovës” dhe me një përvojë 5 vjeçare në menaxhim të pemishteve me boronicë, dhe Kremtim Kabashi nga pemishtja BerryK, Gurrakoc, Istog të cilët përveç njohurive treguan edhe shkathtësitë në krasitje.
Duhet të veçohet se pjesë e ditës fushore ishin një numër i konsideruar i studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, prezenca e tyre dëshmoi edhe një herë përkushtimin e shoqatës nacionale “Mjedra e Kosovës” për përfshirjen dhe fuqizimin e të rinjëve në aktivitete të cilat i organizojmë, dhe për të Ju dhënë mundësinë për të qenë sa më afër trendeve të sektorit të boronicës në botë.
Numri i lartë i të pranishmëve dhe interesimi i tyre motivojnë shoqatën nacionale “Mjedra e Kosovës” që të vazhdojnë aktivitete të tilla dhe iniciativa inovative që të rriten përfitimet brenda industrisë, duke nxitur kështu punësimin e komuniteteve rurale dhe zhvillimin e ekonomive bujqësore.
Dita fushore u percjell nga media të ndryshme dhe ishte live në rrjetet sociale të Shoqatës “Mjedrat ne Kosove” dhe “Boronica në Kosovë”. Ata të cilët nuk e kanë ndjekur këtë ditë shumë të rëndësishme, në këtë link mund ta ndjekin https://www.facebook.com/mjedratnekosove/videos/713087117345335
Lindita Ibishi – Sekretare gjenerale “Mjedra e Kosovës”