Në vitet e fundit, ndryshimet klimatike kanë vazhduar të përkeqësojnë sigurinë ushqimore dhe prodhimin e pemëve të imëta, përfshirë mjedrën. Një prej pasojave më të rënda të këtyre ndryshimeve janë valët e të nxehtit, të cilat përkufizohen si periudha me lagështi të ulët dhe temperatura mbi 32°C. Këto kushte shpesh janë shkatërrimtare për prodhuesit e mjedrës, të cilët shpesh nuk janë të përgatitur për efektet negative të tyre.
Fatmirësisht, strategjitë e reja adaptuese për të zbutur dëmet nga nxehtësia po dalin në dritë dhe po ndihmojnë fermerët të “përballojnë nxehtësinë”. Në vazhdim, do të trajtojmë disa nga teknologjitë më premtuese që janë testuar nga projekti “Beat the Heat” në Amerikë dhe rezultatet fillestare të tyre janë: Një teknologji që ka treguar efektshmëri në uljen e temperaturave të kurorës është ftohja avulluese, e cila realizohet me spërkatësa të sipërme, mikrospërkatësa ose mjegullues. Ky sistem përdor procesin e avullimit të ujit për të krijuar një efekt ftohës. Në studim, ftohja avulluese aktivizohej kur temperaturat arrinin 30°C dhe funksiononte deri në orën 19:00.
Rezultatet treguan një rritje prej 121% në prodhim në krahasim me kontrollin pa trajtim. Megjithatë, u vu re një incidencë më e lartë e kalbjes dhe mykut tek frutat e freskëta pas dy javësh ruajtjeje në frigorifer. Gjithashtu, sistemi përdor sasi të konsiderueshme uji dhe rrit presionin nga barërat e këqija. Ekspertët po shqyrtojnë përdorimin e sistemit në intervale 15-20 minuta për të minimizuar këto probleme.