Teknologjia e sensorëve po transformon ujitjen në kultivimin e pemëve të imëta në substrat

Përdorimi i teknologjisë së sensorëve për menaxhimin e ujitjes po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në prodhimin modern të pemëve të imëta të kultivuara në substrat.

Në kultivimin tradicional, ujitja shpesh është bazuar në përvojë, në intervale kohore fikse ose në matjen e rrezatimit diellor. Megjithatë, faktorë si temperatura, lagështia e ajrit, era, hijëzimi apo përdorimi i mbulesave reflektuese ndikojnë drejtpërdrejt në nevojat reale të bimës për ujë, duke e bërë këtë metodë gjithnjë e më pak të saktë. Teknologjia moderne e sensorëve mundëson që ujitja të lidhet drejtpërdrejt me gjendjen reale të substratit dhe kërkesat fiziologjike të bimës, duke shmangur si mungesën ashtu edhe tepricën e ujit.

Në prodhimin e pemëve të imëta në substrat përdoren disa lloje sensorësh. Sensorët për përmbajtjen vëllimore të lagështisë (% VMC) matin sasinë e ujit që ndodhet në substrat dhe ndihmojnë fermerin të mbajë zonën e rrënjës në nivel optimal hidratimi. Sensorët e kapacitetit (Capacitance Probes) vendosen në mënyrë të përhershme në vazo ose në kanale kultivimi dhe japin të dhëna të vazhdueshme, ndërsa sensorët TDR/FDR janë më fleksibël dhe mund të përdoren në pika të ndryshme për matje të shpejta të lagështisë, temperaturës dhe përçueshmërisë elektrike të tretësirës ushqyese.

Një teknologji tjetër gjithnjë e më e përdorur janë mikro-tensiometrat, të cilët matin tensionin e ujit në substrat – pra forcën që duhet të ushtrojë bima për të thithur ujin. Kjo konsiderohet një tregues shumë i saktë i disponueshmërisë reale të ujit për bimën. Studimet tregojnë se zhvillimi optimal i kulturave dhe cilësia e frutit arrihen kur tensioni i lagështisë mbahet zakonisht ndërmjet -1 dhe -4 kPa, një interval që siguron furnizim të mjaftueshëm me ujë pa krijuar stres apo mbingopje të rrënjëve.

Avantazhet e kësaj teknologjie janë të shumta: kursim i ujit dhe plehrave, zhvillim më i shëndetshëm i sistemit rrënjor, rritje më e balancuar e bimës dhe përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së frutave. Duke qenë se substratet përbëhen nga përzierje torfe, kokosi apo perliti me madhësi të ndryshme grimcash, menaxhimi i saktë i lagështisë është thelbësor për të garantuar që uji të jetë realisht i disponueshëm për bimën dhe jo thjesht i pranishëm në substrat.

Në Kosovë, kultivimi i boronicës në substrat ka mbi 11 vite që zhvillohet dhe ka dëshmuar se kjo metodë ofron prodhimtari të qëndrueshme dhe cilësi të lartë të frutit. Ndërkohë, kultivimi i mjedrës në substrat ka filluar të aplikohet nga viti 2025, duke shënuar një hap të ri drejt modernizimit të sektorit të pemëve të imta dhe përshtatjes me praktikat bashkëkohore evropiane.

Adoptimi i sensorëve dhe i sistemeve inteligjente të ujitjes përfaqëson kalimin nga bujqësia e bazuar në përvojë drejt bujqësisë së bazuar në të dhëna. Ky transformim jo vetëm që rrit efikasitetin ekonomik të prodhimit, por edhe kontribuon në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, një kërkesë gjithnjë e më e rëndësishme për bujqësinë moderne.

Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top