Themelohet Shoqata Shqiptare e Mjedrës “Mjedra e Shqipërisë” – Manjola Hafizi zgjidhet kryetare

Me 28 shkurt, 2026, në ambientet e GIZ Albania, u shënua një moment i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të pemëve të imta në vend, me themelimin zyrtar të Shoqatës Shqiptare të Mjedrës “Mjedra e Shqipërisë”.

Në një proces të hapur dhe transparent, fermerët themelues zgjodhën strukturën drejtuese të shoqatës, ku kryetare u zgjodh fermerja Manjola Hafizi, nënkryetar Artan Hallaçi, ndërsa sekretar Fatri Puca.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve akademike dhe organizatave partnere, përfshirë profesorin Endrit Kullaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, si dhe Kujtim Lepaja nga Shoqata Mjedra e Kosovës, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e sektorit të mjedrës.

Themelimi i shoqatës vjen si rezultat i një serie takimesh përgatitore me fermerë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Kukësin, Dibrën dhe Tiranën, të cilët ndanë nevojën për organizim të përbashkët dhe përfaqësim më të strukturuar të prodhuesve. Formalizimi i kësaj shoqate shënon fillimin e një kapitulli të ri për sektorin, duke bashkuar fermerët rreth një vizioni të përbashkët për zhvillim, bashkëpunim dhe rritje të qëndrueshme.

Shoqata “Mjedra e Shqipërisë” synon të:

  • rrisë konkurrueshmërinë e prodhimit vendor të mjedrës,
  • lehtësojë aksesin e fermerëve në tregjet vendore dhe ndërkombëtare,
  • përmirësojë teknologjitë e kultivimit dhe standardet e cilësisë,
  • avokojë për politika mbështetëse për sektorin,
  • si dhe të promovojë dhe zgjerojë sa më masivisht kultivimin e mjedrës, duke pasur parasysh kërkesat gjithnjë në rritje të tregut për këtë produkt.

Partner mbështetës në këtë rrugëtim do të jetë GIZ Albania, e cila do të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të fermerëve, organizimin e zinxhirit të vlerës dhe afrimin gradual të sektorit me standardet e Bashkimit Evropian.

Ky organizim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm rural, rritjes së të ardhurave për fermerët dhe integrimit më të mirë të prodhimit shqiptar të mjedrës në tregjet rajonale dhe evropiane.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top