Pemët e imëta janë atraktive për të gjithë, si nga shija ashtu edhe nga pamja. Të gjitha grupmoshat janë të interesuara t’i shijojnë këta fruta tërheqës dhe të vizitojnë pemishtet për pamjen e tyre të bukur sidomos në momentet kur ndodhet procesi i vjeljes. Duke pasur parasysh se rrjetet sociale të Shoqatës ‘Mjedra e Kosovës’, ‘Mjedrat në Kosovë’ dhe ‘Boronca në Kosovë’ janë faqet më të ndjekura dhe më ataraktive të bujqësisë në vendin tonë, të cilat ofrojnë informacione të shumta rreth zinxhirit të vlerës së prodhimit të pemëve të imëta, shumë qytetarë të vendit tonë na shkruajnë, sidomos në periudhën kur pemët e imëta janë në prodhim, që shprehin interesin e tyre për të blerë fruta, por shpesh kemi pyetje edhe për pemishtet që mund të ofrojnë mundësinë që ata të bëjnë vjeljen e pemëve të imëta dhe të blejnë produktin që vjelin. Kjo metodë “Pick Your Own – Vjelë vetë” zbatohet shumë në vende të ndryshme të Evropës dhe në Amerikë, ku qytetarët shkojnë në pemishte, vjelin vetë frutat dhe në fund paguajnë me çmime reale për frutat që kanë vjelur.
Vjelja “Pick Your Own” në bujqësi është një mënyrë e veçantë e blerjes së frutave, ku konsumatorët kanë mundësinë të shkojnë në një pemishte të caktuar dhe të vjelin vetë frutat, duke i paguar për sasinë që kanë vjelur. Ky koncept ka një histori të gjatë në SHBA, ku fillimisht u zhvillua për shkak të mungesës së punëtorëve ose periudhave të çmimeve të ulëta të produktit. Në fillim, kjo praktikë shpesh funksiononte në një bazë informale ose sipas nevojës. Sot, vjelja “Pick Your Own” është një nga format më të rëndësishme të marketingut në bujqësinë e SHBA-ve, duke ofruar përvojën e blerjes së drejtpërdrejtë nga pemishtja, duke lejuar konsumatorët të zgjedhin vetë produktet që dëshirojnë dhe të kenë një eksperiencë të paharruar në pemishte. Pra, vjelja “Pick Your Own” është edhe koncept i agroturizmit.
Në Kosovë, kjo mënyrë e blerjes së frutave nuk është e zhvilluar fare, por duke parë interesimin e qytetarëve tanë, ka potencial të madh për tërheqjen e konsumatorëve dhe për të ofruar një eksperiencë të veçantë blerjeje.
Në vendet e tjera të Evropës dhe në SHBA, vjelja “Pick Your Own” është një praktikë e zakonshme dhe e suksesshme, e cila mund të ndihmojë në rritjen e shitjeve dhe në diversifikimin e tregut për fermerët. Nëse fermerët në Kosovë do të vendosnin të ofronin këtë mundësi të blerjes për konsumatorët, ata do të mund të përfitonin nga një ndërhyrje e re në treg dhe nga një mënyrë e re e tërheqjes së klientëve.
Prandaj, është e rëndësishme që fermerët të marrin parasysh mundësitë që ofron vjelja “Pick Your Own” dhe të shfrytëzojnë potencialin e saj për të rritur shitjet dhe për të krijuar një lidhje më të fortë me konsumatorët.
Duke parë interesimin e qytetarëve të vendit tonë për vjeljen “Pick Your Own” respektivisht mesazhet e shumta që na vijnë, atëherë ne fuqishëm do t’i promovojmë fermerët që janë të interesuar të jenë pjesë e kësaj mënyre të funksionimit të biznesit të tyre.
Në vizitat studimore që kemi pasur si Shoqatë në vende të ndryshme të botës, kemi parë për se afërti se kjo metodë është shumë atraktive dhe ekonomikisht e levërdishme për të dy palët, për fermerin dhe për blerësin.
Prandaj, përmes këtij artikulli ne i ftojmë ata fermerë që dëshirojnë që të jenë pjesë e kësaj metode të vjeljes të na lajmërohen dhe ne do të bëjmë promovimin e tyre gjatë sezonës së prodhimit. Fermerët e pemëve të imëta janë një hap përpara, prandaj kjo praktikë e vjeljes do të zbatohet për herë të parë në disa pemishte në vendin tonë, që do të jetë shembull edhe për sektorët e tjerë të bujqësisë.
Koha për për t’ju ofruar mundësi edhe të tjerëve që t’i përjetojnë të mirat e pemëve të imëta për së afërmi.
Kujtim Lepaja