Kandra leshatake (Tropinota hirta): Dëmtues i pemëve të imëta dhe metodat e menaxhimit të tij

Kandra leshatake (Tropinota hirta)

Tropinota hirta bën pjesë në rendin Coleoptera – krahëfortët, dhe në familjen Cetoniidae. Insektet kanë trup 8-11 mm, me ngjyrë të zezë të mbuluar me rreth 12-15 pika të bardha me formë jo të rregullt, si dhe me qime ngjyrë të verdhë. Tropinota hirta si insekt i rritur dimëron në tokë në thellësi 3-10 cm. Një femër i bën më së shumti 30 vezë, të madhësisë 1-2.5 mm me ngjyrë të bardhë, të cilat i vendos në thellësi 10 cm. Te veza zhvillimi embrional zgjat 10-20 ditë. Është dëmtues polifag pasi që shkakton dëme në një numër mjaft të madh të llojeve të pemëve. Kandra le­shatake zhvillon një gjeneratë gjatë një viti. Në pranverë paraqitet në fillim të mu­ajit prill, përkatësisht pas ngritjes së tem­peraturave, si dhe pas paraqitjes së luleve të llojeve të ndryshme të pemëve, baro­jave, shkurreve, por edhe të pemëve të imëta. Pas ngritjes së temperaturave të tokës insekti fillon të dalë prej vendeve ku ka dimëru­ar. Në kushtet tona paraqitja e këtij dëm­tuesi vërehet në fillim të prillit e më vonë paraqitet në formë mjaft masovike. Kur del nga toka në pranverë, mbi trupin e insek­tit vërehen gjurmë të dheut. Karakteristikë e këtij insekti është se fluturimi i tij zgjat një deri në dy muaj, por në kultura të veçanta ai nuk haset më gjatë se një muaj. Disa insekte të rritura mund të hasen deri në muajin gusht. Insekti shkakton dëme pasi që ushqehet në mënyrë aktive me thekë, krezë dhe pistil të luleve. Kandra leshatake paraqitet kryesisht prej orës 10 deri në ora 16 kur temperaturat arrijnë vlerat mbi 18 °C. Hasen deri në mesin e muajit maj e ndonjëherë edhe më vonë. Ky insekt paraqitet kryesisht rreth zonave malore. Kandra leshatake pothuajse nuk ka armiq natyrorë, me përjashtim të disa kërpudhave, të cilat i sulmojnë larvat që ndikojnë në uljen e popullateve të këtij in­sekti mjaft të rrezikshëm.

Kandra leshatake te Boronica
Kandra leshatake te mjedra

Menaxhimi i dëmtuesit. Është mjaft i vështirë, pasi që insektet e rritura nuk janë të ndjeshme ndaj numrit më të madh të preparateve kimike. Veç kësaj, një numër i preparateve, të cilët njihen si efikas, janë të rrezikshëm dhe e zhdukin bletën, e cila është e pranishme në lule. Si mënyrë e luftimit të kandrës leshatake është edhe vendosja e shisheve me ngjyrë të kaltër dhe tejdukshme në pemishte, të cilat duhen mbushur përgjysmë me ujë dhe aty të hidhet ndonjë lëng me aromë tërheqëse. Luftimi mund të kryhet edhe me dorë sidomos në sipërfaqe të vogla. Kandra leshatake ka një paraqitje masovike vitet e fundit, sidomos në dardhë, në mollë, në mjedër, në boronicë dhe në dredhëz.

Scroll to Top