Teneshdoll, Prishtinë – 28 korrik 2026 – Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” shënoi Ditën e Mjedrës në Teneshdoll të Prishtinës, në një aktivitet që mblodhi rreth 150 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë ngjarje morën pjesë fermerë, përfaqësues të institucioneve, organizata partnere, kompani grumbulluese dhe profesionistë të sektorit të bujqësisë.
Qëllimi i Ditës së Mjedrës ishte të promovojë zhvillimin e sektorit të mjedrës, të prezantojë praktikat dhe teknologjitë e reja të kultivimit, si dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim të përvojave dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të zinxhirit të vlerës.
Fjalën hyrëse e mbajti Lindita Ibishi, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, e cila foli për zhvillimin e sektorit të mjedrës në Kosovë dhe potencialin që ky sektor ka për të krijuar të ardhura të qëndrueshme për fermerët dhe familjet rurale.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe Kujtim Lepaja, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Mjedra e Kosovës”, Bekim Cikaqi, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Këshillimore pranë MBPZHR-së, Veton Rruka, Menaxher i Projektit EREA në Caritas Switzerland Kosovë, si dhe Suela Rrahmani, përfaqësuese e qendrës grumbulluese Kemi Fruits.




Gjatë diskutimeve u fol për zhvillimin e sektorit të mjedrës ndër vite, sfidat me të cilat përballen fermerët dhe mundësitë për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendor. Veçanërisht u theksua nevoja për investime në teknologji moderne, përmirësimin e praktikave të prodhimit, forcimin e zinxhirit të vlerës, rritjen e cilësisë dhe promovimin e mjedrës si një sektor me potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave rurale.
Pjesëmarrja e fermerëve dhe profesionistëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i dha aktivitetit një dimension rajonal, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe diskutim mbi praktikat e reja të kultivimit, tregun dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet prodhuesve dhe aktorëve të sektorit të frutave të imëta.
Pjesa praktike e Ditës së Mjedrës u zhvillua në disa pemishte të Teneshdollit, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me metodën e kultivimit të mjedrës në vazo. Kjo metodë përfaqëson një qasje bashkëkohore në prodhimin e mjedrës dhe ofron mundësi për menaxhim më të kontrolluar të substratit, ujitjes dhe ushqimit të bimëve, me synim rritjen e efikasitetit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë së prodhimit.
Në kuadër të vizitës u organizua edhe një vjelje simbolike e mjedrës, e cila krijoi mundësi për bashkëbisedim të drejtpërdrejtë ndërmjet fermerëve, ekspertëve dhe pjesëmarrësve.
Dita e Mjedrës 2026 dëshmoi edhe një herë se zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet fermerëve, shoqatave, institucioneve publike, sektorit privat, organizatave partnere dhe ekspertëve të bujqësisë.
Shoqata “Mjedra e Kosovës” vlerëson se potenciali i Kosovës në prodhimin e frutave të imëta është i madh dhe se, përmes teknologjive moderne, rritjes së cilësisë, organizimit të prodhuesve dhe qasjes më të mirë në tregje, sektori mund të rrisë më tej konkurrueshmërinë e tij në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Dita e Mjedrës ishte një mundësi për të bashkuar fermerë, institucione, partnerë dhe ekspertë rreth një qëllimi të përbashkët: zhvillimin e një sektori më modern, më të organizuar dhe më konkurrues të frutave të imëta në Kosovë dhe në rajon.
