Prizren, 27 gusht 2026 – Në Prizren u mbajt me sukses edicioni i tretë i Ditës së Aronisë Organike, aktivitet që mblodhi mbi 200 pjesëmarrës nga sektori i bujqësisë, institucionet, organizatat, fermerët dhe partnerë të ndryshëm.
Aktiviteti u zhvillua në hapësirat e kompanive ARTI FRUIT dhe ARONICA, të cilat së bashku kultivojnë rreth 8 hektarë aroni organike, duke përfaqësuar një nga shembujt konkretë të zhvillimit të prodhimit organik të kësaj kulture në Kosovë.
Nga fillimet e aronisë deri te zhvillimi i sektorit
Programi i aktivitetit nisi me shfaqjen e një videoje të përgatitur nga kompania ARTI FRUIT, e cila prezantoi historinë e kultivimit të aronisë në Kosovë – nga hapat e parë dhe sfidat fillestare, deri te zhvillimi i sektorit dhe perspektiva e tij në ditët e sotme.



Në hapje të aktivitetit, të pranishmit u përshëndetën nga Esat Berisha, pronar i kompanisë ARONICA, Prof. Vahid Avdiu nga Fakulteti i Bujqësisë në Prishtinë, Faton Nagavci, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Organika”, dhe Kujtim Lepaja, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Mjedra e Kosovës”.
Folësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, bizneseve, organizatave dhe institucioneve për zhvillimin e prodhimit organik dhe krijimin e mundësive të reja për sektorin.
Demonstrim i vjeljes mekanike dhe praktike në plantacion
Një pjesë e veçantë e programit ishte vizita në plantacione, ku pjesëmarrësit patën mundësi të shohin nga afër procesin e prodhimit dhe vjeljen mekanike të aronisë.
Përveç demonstrimit të mekanizimit, të pranishmit u përfshinë edhe në vjeljen me dorë, duke krijuar një përvojë praktike dhe duke parë nga afër mënyrën se si zhvillohet procesi i korrjes në plantacionet organike.
Aktiviteti u përmbyll me një moment të përbashkët rrjetëzimi dhe koktej, ku mysafirët patën mundësi të shijojnë produkte të ndryshme të përgatitura nga aronia dhe të diskutojnë për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori.
Aronia organike – një potencial për bujqësinë e Kosovës
Edicioni i tretë i Ditës së Aronisë Organike dëshmoi edhe një herë se aronia organike ka potencial të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Përmes investimeve në teknologji, njohuri profesionale, standarde të prodhimit dhe organizim më të mirë të tregut, kjo kulturë mund të krijojë mundësi të reja për fermerët dhe bizneset.
Promovimi i prodhimit organik, rritja e vlerës së produkteve vendore dhe orientimi drejt tregjeve më të avancuara mbeten hapa të rëndësishëm për ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Dita e Aronisë Organike 2026 u organizua dhe u mbështet nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, Shoqata “Organika”, si dhe kompanitë ARTI FRUIT dhe ARONICA.
Një falënderim i veçantë shkon për kompanitë ARTI FRUIT dhe ARONICA për mikpritjen, bashkëpunimin dhe kontributin në promovimin e prodhimit të aronisë organike në Kosovë.
#DitaEAronisëOrganike #Aronia #AroniaOrganike #Kosovë #Bujqësi #BujqësiOrganike #Prizren #MjedraEKosovës #Organika
