Mjedra përballë temperaturave të larta, inovacionet në ekranet klimatike

Në vitet e fundit, menaxhimi i mikroklimës është bërë një nga faktorët më të rëndësishëm për prodhimin e qëndrueshëm dhe cilësor të mjedrës. Temperaturat e larta dhe rrezatimi intensiv diellor mund të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e frutit, veçanërisht gjatë periudhave të nxehta të verës.

Një nga zgjidhjet që po testohet në prodhimin modern të mjedrës është përdorimi i ekraneve klimatike (climate screens), si Harmony 3915 O E – (Një qasje moderne për mbrojtjen e mjedrës nga stresi termik dhe rrezatimi diellor)

Së fundmi, Delphy ISFC në Holandë ka përdorur këtë ekran në tunelet e mjedrës, fillimisht në kulitvarët pranveror dhe më pas në ata vjeshtor. Qëllimi kryesor është mbrojtja e frutave nga dëmtimi i shkaktuar nga rrezatimi i fortë diellor dhe ruajtja e cilësisë së prodhimit gjatë periudhave me temperaturë dhe intensitet të lartë të dritës.

Çfarë është Harmony 3915 O E?

Harmony 3915 O E është një ekran klimatik i jashtëm, i përbërë nga poliolefinë 100%, me strukturë të kombinuar: një pjesë e bardhë difuzuese dhe një pjesë e hapur.

Kjo strukturë mundëson një kombinim të tre funksioneve kryesore:

  • shpërndarjen më uniforme të dritës;
  • hijëzimin e kulturës gjatë rrezatimit intensiv;
  • reduktimin e temperaturës së bimës dhe ambientit të tunelit.

Sipas të dhënave të prodhuesit, ekrani ofron rreth 39% hijëzim në dritë direkte dhe 45% në dritë difuze, sipas metodës së Svensson. Gjithashtu, raportohet një potencial për 15% kursim energjie.

Pse është i rëndësishëm për mjedrën?

Mjedra është veçanërisht e ndjeshme ndaj kushteve ekstreme gjatë periudhës së pjekjes. Rrezatimi i tepërt dhe temperaturat e larta mund të ndikojnë në temperaturën e frutit dhe në cilësinë e tij.

Në këto kushte, një ekran klimatik mund të përdoret si pjesë e një sistemi më të gjerë për menaxhimin e mikroklimës së tunelit.

Ideja nuk është thjesht të “mbulohet” kultura, por të menaxhohet më mirë energjia diellore që arrin te bima dhe fruti. Struktura difuzuese e Harmony 3915 O E ndihmon në shpërndarjen e dritës nga më shumë kënde, ndërsa struktura e hapur kontribuon në mbrojtje dhe ftohje gjatë periudhave të nxehta.

Nga mbrojtja e kulturës drejt një sistemi më të kontrolluar prodhimi

Ekreani klimatik – Harmony 3915 O E

Përdorimi i teknologjive të tilla tregon se prodhimi modern i mjedrës po kalon nga një qasje ku fermeri thjesht reagon ndaj kushteve atmosferike, drejt një sistemi ku mikroklima menaxhohet në mënyrë aktive.

Nuk mund ta kontrollojmë motin, por mund të përmirësojmë mënyrën se si kultura përballet me të.

Ekrani klimatik ne mjeder, Burimi: Delphy

Për prodhuesit e mjedrës në Kosovë dhe rajon, kjo është një teknologji që meriton vëmendje dhe testim, veçanërisht në tunelet dhe serat ku temperaturat e larta dhe rrezatimi intensiv mund të ndikojnë në cilësinë e frutit.

E ardhmja e prodhimit të mjedrës nuk lidhet vetëm me kultivarin dhe ushqimin e bimës, por edhe me mënyrën se si menaxhojmë klimën rreth saj.

Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top