Temperaturat e larta po e bëjnë hijezimin një nga masat më të rëndësishme për kultivimin modern të mjedrës në kushtet klimatike të Kosovës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kultivarët vjeshtorë, të cilët hyjnë në prodhim gjatë korrikut dhe gushtit, pikërisht në periudhën kur temperaturat mund të afrohen në 40°C dhe në raste të caktuara të kalojnë edhe mbi 40°C.
Temperaturat ekstreme ndikojnë drejtpërdrejt në potencialin prodhues të mjedrës. Në vitet e fundit, fermerët kanë përjetuar në raste të caktuara edhe ulje të rendimentit deri në 50%, si pasojë e stresit termik dhe temperaturave të larta. Kur temperaturat afrohen ose kalojnë 40°C, rritet ndjeshëm humbja e ujit, shtohet stresi i bimës dhe rritet rreziku për dëmtime të frutit nga rrezatimi i fortë diellor.
Frutat e ekspozuara drejtpërdrejt ndaj diellit mund të pësojnë djegie nga dielli, ndryshime në ngjyrë dhe humbje të cilësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në vlerën e tyre në treg.
Në këto kushte, fermerët në Kosovë kanë filluar të përdorin gjithnjë e më shumë rrjetë hijezimi me shkallë hijezimi 35%. Kjo paraqet një zgjidhje relativisht të thjeshtë dhe me kosto të përballueshme, sidomos krahasuar me investimet e tjera infrastrukturore në pemishte.
Përvojat e fermerëve që e kanë instaluar këtë sistem që në pranverë po tregojnë rezultate inkurajuese. Në pemishtet ku përdoret rrjeta e hijezimit 35%, vërehet mbrojtje më e mirë e bimëve dhe frutave nga rrezatimi i drejtpërdrejtë diellor, më pak dëmtime nga dielli dhe cilësi më e mirë vizuale e frutit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për prodhimin e destinuar për tregun e freskët.

Megjithatë, hijezimi nuk duhet të konsiderohet si zgjidhje e vetme. Ai duhet të kombinohet me ujitje të mirë dhe të kontrolluar, furnizim të rregullt me ujë gjatë temperaturave të larta, menaxhim të drejtë të plehërimit, ruajtje të lagështisë së tokës dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së bimëve. Në këtë mënyrë, hijezimi bëhet pjesë e një sistemi të integruar për menaxhimin e rrezikut klimatik në mjedër.

Duke pasur parasysh se kostoja e rrjetës së hijezimit është relativisht e ulët në krahasim me humbjet që mund të shkaktojnë temperaturat ekstreme, ky investim duhet të shihet si investim në ruajtjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit, e jo vetëm si shpenzim.
Ndryshimet klimatike po ndryshojnë mënyrën e prodhimit të mjedrës. Për kultivarët vjeshtorë që prodhojnë gjatë korrikut dhe gushtit, mbrojtja nga temperaturat e larta dhe rrezatimi i tepërt diellor po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Mjedra e së ardhmes nuk duhet të jetë vetëm më produktive, por edhe më e mbrojtur nga klima. Në kushtet tona, rrjeta e hijezimit 35% është një nga zgjidhjet më të thjeshta, të përballueshme dhe praktike për ta mbrojtur prodhimin nga temperaturat që afrohen dhe kalojnë 40°C.
Shkroi: Kujtim Lepaja – Mjedra e Kosovës
